Nga Shqipëria / E Enjte 11 Qershor 2020, 14:02

Drejtoresha e re e jetimores: Pas dëshmive të përdhunimeve askush nuk ka ardhur për hetime

Pas skandaleve të ditëve të fundit, ku tre jetimë që kanë kaluar fëmijërinë në Jetimoren e Shkodrës dëshmuan për dhunën dhe abuzimet seksuale, sot ka reaguar për herë të parë institucioni i Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër.

E pyetur nga gazetarët dhe psikologia Denada Toçe, drejtoresha e re e këtij institucioni tha se nuk ka ardhur asnjë, as Prokuroria, as Bashkia, për të kryer hetimet, pasi ka dalë dëshmia e Adrianës dhe dy djemve.

Drejtoresha tregoi se stafi emërohet nga Ministria dhe organika nuk ka ndryshuar. Aq punonjës që kanë qenë para 2016, aq janë edhe sot, 24.

Natën qëndron vetëm 1 punonjës për të ruajtur fëmijët, gjë e dëshmoi edhe djali jetim Ndoi Rripa me deklaratën e tij sot. Ndoi tregoi se roja i natës ka abuzuar seksualisht me një vajzë 13-vjeçe, gjë që ishte marrë vesh nga punonjësit dhe e vetmja masë që ishte marrë ndaj rojes ishte heqja nga puna.