Nga Shqipëria / E Mërkurë 10 Qershor 2020, 11:11

Këto janë arsyet pse Shqipëria po goditet nga vala e dytë e koronavirusit kaq shpejt

42 raste të reja me koronavirus u shënuan 24 orët e fundit në vendin tonë, një shifër rekord kjo që tregon fillimin e një kurbe të dytë në ngjitje. 

Me heqjen e masave pritej që vendi të kishte një rritje të vogël, por pse Shqipëria po goditet nga vala e dytë e koronavirusit kaq shpejt dhe me shifra kaq të larta?

Përgjigja për këtë duket shumë e qartë nisur nga fakti që njerëzit e harruan koronavirusin, madje disa as nuk e besuan për shkak të teorive konspirative, nuk respektuan distancimin social, nuk vendosin më maska dhe nuk mbajnë më higjienën. 

Në këto momente njerëzit po tregohen të pakujdesshëm dhe numri është rritur duke na çuar në valën e dytë dhe me një shifër rekord që nuk e patëm as në pikun e parë. Edhe vetë institucionet duket se janë relaksuar dhe nuk shohim më kujdesin e mëparshëm.

Shifrat që ne shohim sot janë rezultat i sjelljes së njerëzve në 2-3 javët e fundit, ç'ka tregon që qytetarët janë treguar të papërgjegjshëm. 

Gjithashtu javët e fundit kanë qenë të mbushura me protesta dhe grumbullime duke filluar nga protesta për teatrin dhe më pas protestat kundër abuzimit apo protestat kundër izolimit të vendit/

Nga java tjetër do të hapet edhe transporti urban, ku njerëzit do të jenë edhe më në kontakt me njëri-tjetrin, në një ambient të mbyllur si autobusi dhe për shkak të kësaj pritet që numri të rritet edhe më shumë. Duke përmendur këtu edhe hapjen e plazheve, lokaleve, klubeve etj.

Për këtë arsye duhet të jemi më të kujdesshëm se kurrë, ta shijojmë lirinë, por duke bashkëjetuar me koronavirusin, duke mbajtur distancën me njëri-tjetrin, duke vazhduar të mbajmë higjienën e të mbajmë maskat. Përndryshe, vazhdimi i rritjes së shifrave ditore nga koronavirusi do të çonte në mbylljen sërish të vendit, madje nën masa edhe më të rrepta./Xing.al