Nga Shqipëria / E Mërkurë 10 Qershor 2020, 19:07

Le t'i shpëtojmë nga abuzimi: Hapat që duhet të ndiqni për të adoptuar një fëmijë jetim

Përgjatë viteve kemi dëgjuar se si një nga grupet më në nevojë të shoqërisë, jetimët janë dhunuar dhe abuzuar pikërisht nga institucionet që kanë si detyrë të kujdesen për to. Rasti më i fundit është historia e rrëfyer nga Adriana, një vajzë jetime e rritur në jetimoren e Shkodrës.

Vajza rrëfeu se ishte abuzuar seksualisht gjatë gjithë fëmijërisë së saj, duke nisur nga mësuesi, roja dhe më pas nga polici ku kishte shkuar të denonconte. Pasi e bëri publike historinë e saj, Adriana gjeti sa mbështetje aq dhe akuza nga njerëz që e cilësojnë si të trilluar historinë e saj.

Megjithatë ekzistojnë prova dhe fakte se fëmijët në këtë jetimore janë keqtrajtuar, torturuar dhe abuzuar. Në vitin 2015 vetë kujdestaret e këtij institucioni janë filmuar teksa dhunonin fëmijë të moshave 10-14 vjeç. Një ndër kujdestaret i gjuante dhe i ulej vogëlushit në preher. Nuk ndalonte, ndonëse ai nuk pushonte së qari.

Ngjarje të tilla nuk ndodhin vetëm në jetimoren e Shkodrës. Kujtojmë se në vitin 2016, në emisionin "Stop" u denoncua një rast sipas të cilit në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë, vajzat e mitura dilnin natën, frekuentonin lokalet dhe shoqëroheshin nga persona të mëdhenj në moshë. Ato konsumonin duhan dhe shumë prej tyre endeshin nëpër rrugë duke kërkuar lëmoshë.

Skandale kanë ndodhur dhe në jetimoren e Vlorës. Në vitin 2018 "Stop" publikoi disa pamje tronditëse ku punonjëset iu bërtisnin fëmijëve, i ndëshkonin dhe iu vinin epitete të tilla si "K*rvë, debile, idiote".

Këto raste po i përmendimin për t'iu kujtuar se në ç'kushte jetojnë fëmijët e jetimores, të cilët të rritur në mungesën e prindërve kanë nevojë për shumë dashuri dhe kujdes. Mirëpo në këto institucione ndodh e kundërta!

Një mënyrë për t'i shpëtuar fëmijët e jetimores nga makthi ku jetojnë, nga dhuna dhe abuzimi, është adoptimi. Shumë njerëz ndoshta duan të adoptojnë një fëmijë por nuk dinë hapat që duhet të ndjekin dhe nëse kualifikohen. Ne të "Xing.al" po iu paraqesim më poshtë nenet e shkëputura nga "Ligji për birësim", për përgatitjet e dokumentacionit birësues, për këdo që ka dëshirë t'i bëhet familje një fëmije që fatkeqësisht është rritur pa një të tillë.

(Adoptimi bëhet ndërmjet Komitetit të Birësimit, i cili ndodhet në rrugën "Mine Peza", Tiranë. Për më shumë informacion kontaktoni në: 042226465.)

Neni 14
Paraqitja e kërkesës
(Shtohet fjalia e fundit me ligjin nr.10 358, datë 16.12.2010)
1. Shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë shqiptarë, i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit. Ata mund të birësojnë vetëm fëmijë, emrat e të cilëve janë në listat e Komitetit.
2. Shtetasit e huaj mund t’i drejtohen Komitetit vetëm nëpërmjet autoriteteve qendrore kompetente ose agjencive ndërmjetësuese të vendit të tyre, të njohura si të tilla nga Komiteti.
3. Shtetasit e huaj, rezidentë prej dy vjetësh në Republikën e Shqipërisë, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, vetëm nëse legjislacioni i tyre kombëtar e lejon birësimin.
4. Shtetasit shqiptarë, rezidentë jashtë Republikës së Shqipërisë, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, me kusht që vendimi gjyqësor shqiptar i birësimit të sjellë pasoja juridike në vendin e tyre të rezidencës. Ky rregull zbatohet edhe kur shtetasi shqiptar ka lidhur martesë me një shtetas të huaj apo person pa shtetësi.

Neni 15
Mendimi/pëlqimi i fëmijës që birësohet
1. Kur fëmija ka mbushur moshën 10 vjeç, birësimi kryhet vetëm kur Komiteti ka marrë mendimin e tij dhe pasi siguron se:
a) fëmija është këshilluar dhe informuar për pasojat e birësimit dhe të dhënies së mendimit të tij për birësimin;
b) janë marrë parasysh mendimet dhe dëshirat e fëmijës, kur ato janë në interes të tij;
c) mendimi i fëmijës është dhënë në mënyrë të vullnetshme dhe është dokumentuar apo evidentuar me shkrim, sipas formës së përcaktuar nga Komiteti;
ç) mendimi nuk është dhënë kundrejt pagesës apo çdo lloj kompensimi tjetër.
2. Kur fëmija ka mbushur moshën 12 vjeç, për birësim kërkohet pëlqimi i tij, në përputhje me kërkesat e tjera të pikës 1 të këtij neni.

Neni 18
Dokumentacioni i aplikantit birësues
(Ndryshuar me ligjin nr.10 358, datë 16.12.2010)
Aplikanti birësues paraqet në Komitet dokumentacionin e mëposhtëm:
1. Kërkesën me motivimin e birësimit.
2. Të dhënat personale për marrëdhëniet ndërpersonale të anëtarëve të familjes, informacione për
pjesëtarët e familjes dhe qëndrimin e tyre ndaj birësimit.
3. Të dhënat për gjendjen civile, si kopjen e letërnjoftimit, certifikatën e martesës, certifikatën e
zgjidhjes së martesës ose të vdekjes së bashkëshortit.
4. Vërtetimin e gjendjes gjyqësore.
5. Deklaratën për fëmijërinë, mënyrën e rritjes, edukimin dhe profesionin.
6. Raportin mjekësor dhe historinë mjekësore të familjes.
7. Vërtetime të punësimit, të të ardhurave dhe të pasurisë së paluajtshme.
8. Vërtetimin e pronësisë së banesës dhe të dhëna për kushtet e banimit.
9. Deklaratën me të dhënat për gjendjen ekonomike dhe sociale.
10. Vërtetimin, nga organet e njësisë së qeverisjes vendore të vendbanimit, për sjelljen dhe figurën
morale.
11. Deklaratën e gatishmërisë së familjarëve dhe të miqve në mbështetje të aplikantit birësues. Të dhënat, që do të përfshihen në deklaratat e parashikuara në pikat 5, 9 dhe 11 të këtij neni,
përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Drejtësisë, me propozim të Komitetit Shqiptar të Birësimit. Deklaratat përpilohen përpara noterit, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 7829, datë 1.6.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar. Në rastin e përpilimit të këtyre deklaratave jashtë shtetit, ato paraqiten të legalizuara.

Neni 19
Studimi i aplikantit birësues
Pas shqyrtimit të kërkesës dhe të dokumenteve përkatëse nga sekretariati ekzekutiv për të drejtën e aplikantit birësues për të birësuar, bëhet studimi i aftësisë së tij birësuese. Studimi i përgatitur i paraqitet këshillit drejtues për shqyrtim në mbledhjen e tij të radhës.

Neni 20
Regjistrimi në listat e Komitetit
Në listat e Komitetit regjistrohen ata fëmijë shqiptarë, për të cilët:
a) është deklaruar braktisja me një vendim gjyqësor të formës së prerë;
b) është dhënë pëlqimi nga prindërit biologjikë;
c) është dhënë pëlqimi nga gjykata për fëmijët që ndodhen në përkujdesje, sipas paragrafit të tretë
të nenit 246 të Kodit të Familjes.