Në "Shqipëria live" ditën e sotme, i ftuar ishte Ervis Zefi, një djalë sot 23 vjeç, por që fëmijërinë e adoleshencën e ka kaluar në jetimoren e Shkodrës. Ervisi tregoi ngjarjet makabre që ndodhin në këtë institucion duke deklaruar se personeli i rrihnin fëmijët thuajse çdo ditë. Ervisi mbështeti versionin e Adrianës, e cila në "Dua të të bëj të lumtur", tregoi abuzimet seksuale dhe kalvarin e vuajtjeve që ka kaluar.
"Historia e Adrianës është shumë reale sepse kam qenë vetë aty. Roja i jetimores i kapte gjoksin vajzave, i gjuante në të ndenjura. Adrianën e ka kapur prej flokësh dhe e ka futur te kaldaja. Personeli fuste fëmijë më të rritur se ne për të na rrahur. Roja i natës rrihte edhe fëmijë me nevoja të veçanta. Mësuesit e shkollës e dinin për dhunën e ushtruar", u shpreh Ervisi.
"Dua të them diçka për pjesën e profesorit të fesë islame. Ai nuk ka qenë një përfaqësues i fesë islame ose i veshur si i tillë. Ka qenë thjesht një mësues i devotshëm ndaj fesë. Antonjeta tha qe nuk ka pasur profesor të fesë islame, por në fakt ka patur", shtoi 23-vjeçari.
Gjatë emisionit, Ervisi pranoi që rrëfimin e tij ta thotë edhe në polici dhe madje përmendi emra të personave që kanë ushtruar dhunë në jetimore, të cilët ne zgjodhëm mos t'i përmendim në këtë artikull derisa të bëhen verifikimet paraprake./Xing.al
