Nga Shqipëria / E Diel 31 Maj 2020, 10:10

'Je i vetmi që kam në botë', Tritan Kalo përlotet në mes të emisionit (Video)

Mbrëmjen e djeshme i ftuar në emisionin "Dua të të bëj të lumtur" ishte mjeku i njohur Tritan Kalo. Në studio ishte nipi i tij, Gledian Llatja, njëkohësisht dhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit. Ai e ka falenderuar mjekun publikisht për ndihmën që po jep gjatë kësaj periudhe.

“Të gjithë ne kemi qenë në merak për ty, pavarësisht se na çoje foto dhe video se ishe i mbrojtur. Dua të të falenderoj në emër të familjes, në emër të gjithë miqve tanë për të cilët je kujdesur dhe ke shëruar gjatë kësaj kohe”, tha Llatja.

Mjeku u surprizua po ashtu nga një video-mesazh, ku shfaqej vëllai i tij, Lulzimi i cili ishte larguar nga Shqipëria rreth 30 vite më parë. ”Ti je në vijën e parë të luftës, prandaj të lutem kujdesu për veten tënde. Ti dhe bluzat e bardha jeni heronj për të gjithë ne. Dua të të them, të lutem kujdes, ti je i vetmi që kam në këtë botë!”, u shpreh Lulzimi në video-mesazh. Këto surpriza mjeku Kalo i ka pritur me shumë emocion, madje ai është përlotur në studio.