Një kryefamiljar në Kamëz ka kërcënuar policinë se do t'i qëllonte pasi këta të fundit rrethuan banesën. Drejtori i Policisë Tiranë, Rebani Jaupi, sqaroi mediat se kryefamiljari iu kishte ndaluar vajzave të tij që të shkonin në shkollë.
Menjëherë në Kamëz zbarkuan edhe forcat RENEA, që kanë bërë negocimin me kryefamiljarin për t’u dorëzuar.
Pas 30 minutash, ai ka dalë nga banesa dhe ka vendosur që t’i dorëzohet policisë.
“Kemi shoqëruar në mënyrë të detyrueshme një person për ta çuar në gjykatën e Tiranës. Ky akuzohet për dhunë në familje dhe nuk lejon që fëmijët të shkojnë në shkollë, pasi është besimtar. Sapo ka ardhur në banesë ky shtetas ka kundërshtuar punonjësit e policisë dhe nëse nuk do të largoheshin do të qëllone. Negociuam me të dhe u bë e mundur negocimi me këtë shtetas nga një punonjës i RENEA-s. Po bëjmë kontrollin e banesës, se përveç kallashnikovit ka pasur edhe një pistoletë.”, u shpreh për mediet Jaupi.
