Dy ditë më parë një qen me emrin Troi është vrarë në mënyrë tragjike në zonën e Kombinatit në Tiranë. Qeni, shumë i njohur në zonë dhe i dashur nga banorët, u përplas nga një makinë që kaloi me shpejtësi në rrugë pasi ishte trembur nga pronari i një lokali aty pranë.

"Abc News" ka publikuar pamjet nga kamerat e sigurisë që kanë fiksuar momentin kur pronari i lokalit e tremb Troin për ta larguar nga rrugica. Troi del papritur në rrugë dhe përplaset nga një makinë.

Pamjet e rrënqethëse tregojnë Troin, i cili rikthehet në trotuar dhe i del shpirti mes dhimbjeve. Ndërkohë pronari i lokalit e shtyn me këmbë dhe e tërheq zvarrë për ta hedhur sërish në rrugë.
Ngjarja e rëndë ka tronditur mjaft qytetarë të zonës, të cilët kishin krijuar afrimitet me Troin. Për qenin kujdesej një zonjë, e cila kishte edhe kafshë të tjera të braktisura në ambientin e saj.
