Nga Shqipëria / E Martë 9 Qershor 2020, 12:12

Sondazh: A ke guxim të denoncosh një abuzim seksual?

Rastet e fundit të abuzimit seksual kanë tronditur mbarë opinionin publik, por nga ana tjetër kanë shfaqur edhe pjesën e prapambetur të shoqërisë. Viktima e një abuzimi seksual apo ngacmimi seksual kryqëzohet, baltoset dhe faji bie mbi të. Mjafton të marrim rastin e fundit, Adrianën, vajzën nga jetimorja, e cila rrëfeu historinë e saj rrënqethëse në "Dua të të bëj të lumtur". Edhe pse e abuzuar seksualisht prej vitesh dhe që në moshë të vogël, Adrianës iu vendosën epitete si "Mashtruese". Apo rasti i 15-vjeçares së abuzuar nga 65-vjeçari, për të cilën shumë komentonin "E ka provokuar vetë". E njëjta gjë edhe me vajzën 18-vjeçare që akuzoi të atin për ngacmim seksual, ku nuk mungonin komentet e shëmtuara që ia linin fajin viktimës. Çdo viktimë që ka denoncuar në Shqipëri, në vend që t'i dilet në mbrojtje, është kryqëzuar deri në momentin që ka dalë me video konkrete apo regjistrim zanor. Edhe në këto raste jo të gjithë kanë besuar, por përsëri ka patur nga ata që e kanë fajësuar se ka provokuar vetë.