Nga Shqipëria / E Hënë 8 Qershor 2020, 22:10

Psikologia pa licensë intimidon jetimet, i paralajmëron në emision që askush tjetër mos të guxojë

Historia e Adrianës, një vajzë jetime e rritur në jetimoren e Shkodrës ka tronditur mbarë opinionin publik. Gjatë emisionit "Dua të të bëj të lumtur" ajo rrëfeu se përgjatë fëmijërisë është abuzuar seksualisht nga roja dhe një ndër mësuesit e jetimores.

Pasi bëri publike historinë e saj, një zonjë e quajtur Antonjeta Pero, në rolin e psikologes e ka gjykuar si të pavërtetë historinë e Adrianës duke e akuzuar si gënjeshtare. Pero ka dhënë ditën e sotme një intervistë për "Syri.tv" në lidhje me ngjarjen.

Nga intervista nuk kuptohet nëse zonja Pero ka qenë mësuese apo psikologe, të cilat janë dy role dhe profesione të ndryshme, me diploma të ndryshme. Pero ka deklaruar se ka 40 vite në profesionin e psikologes por për herë të parë në Shqipëri kjo shkollë është hapur në vitin ‘92, çfarë e bën të pavërtetë deklaratën e saj.

Për më tepër ajo nuk është psikologe e licensuar. Këtë të Hënë "Urdhri i Psikologut" ka reaguar në lidhje me deklaratat e saj duke sqaruar se Pero nuk ka qenë dhe as nuk është anëtare e Urdhrit të Psikologut.

Njoftimi: Duke marrë shkas nga qëndrimi personal publik i Znj. Antonjeta Pero, me statuse në rrjete sociale apo në media të ndryshme, ju bëjmë me dije se Znj.Pero nuk ka qene apo është anëtare e Urdhrit të Psikologut dhe as psikologe e licencuar, konforme ligjit 40/2016, neni 7.

Gjatë intervistës zonja Pero shprehet se i ka dhënë mësim Adrianës për 9 vite. Mirëpo zakonisht në shkollë asnjë mësuese nuk jep 9 vite mësim, sepse janë të ndara me cikle. Pasi të përfundojë cikli fillor, një mësuesje tjetër i besohen fëmijët nga klasa e pestë deri në të nëntën. Nëse zonja ka punuar si mësuese, atëherë me çfarë kompetencash është shfaqur në media duke folur si psikologe?

Nga ana tjeter, nëse ajo është psikologe dhe ka ushtruar profesionin e psikologes në jetimore apo për Adrianën në veçanti, atëherë gjatë intervistës së saj ajo ka shkelur konfidencialitetin e pacientit, për të cilin ka folur hapur në media, ka shkelur etikën si psikologe me epitetet që i vendos Adrianës. Ajo shprehet se vajza ka pasur inteligjencë nën mesatare.

“Adriana kishte një inteligjencë nën mesatare për një fëmijë të moshës së saj. Adriana nuk ka pasur qejf të bënte mësim, por kishte qejf të lëvizte, me dalë, me shëtit”, u shpreh zonja.

Me të tilla deklarata zonja Pero nuk mund të jetë kurrësesi psikologe. Ajo ka përdorur argumente që nuk do të përdoreshin kurrë nga një psikologe profesioniste, të tilla si "Pse fëmija nuk reagoi?", "Pse fëmija nuk i tregoi dikujt?" apo "Abuzimi është një operacion pa narkozë".

“Në jetimore ishin 45 persona staf edukatoresh, një edukatore për 2 fëmijë. Si mundet që ky person abuzues të futet aty pa e ditur askush? T'i ketë mbledhur vajzat, t'i ketë futur në bodrum, t'i ketë rrahur dhe përdhunuar dhe pas këtij përdhunimi asnjëra nuk ka reaguar? Si mundet në mes të qytetit, të ndodhi një ngjarje kaq makabre? Vajzat i kemi mësuar që përdhunimi është një operacion pa narkozë. Si mund ato ta kenë përjetuar pa ua thënë mësuesve apo infermiereve?”, tha Pero.

Ajo e ka akuzuar përballë mediave Adrianën si gënjeshtare dhe ka ndërmarrë përgjegjësi të plotë penale ndonëse nuk ka asnjë provë, por thjesht qëndrime personale ndaj çështjes në fjalë.

Argumentet që mbrojnë tezën "Pse Adriana nuk është abuzuar seksualisht" sipas saj, janë: Së pari Pero shprehet se vajza ka qenë gjithmonë shumë e fuqishme fizikisht, duke justifikuar mundësinë që ajo të ishte pre e abuzimit seksual.

“Adriana është një person i fuqishëm, ka qenë edhe fëmijë i fuqishëm fizikisht. Problemi i policisë që e ka përdhunuar, unë që jam 60 e ca vjeçe për çdo problem të komunitetit kam shkuar atje, më kanë shoqëruar dy policë. Asnjëherë në atë vend, askush nuk hyn dhe del vetëm. Kam informacione konfidenciale që Adriana dhe polici nuk janë parë kurrë me njëri-tjetrin”, tha Pero.

Së dyti, ajo thotë se kur një fëmijë abuzohet, ndjen dhimbje të trupit dhe nuk e merr veten për disa ditë, ndërsa kjo nuk ka ndodhur me Adrianën.
“Është njeri me fizik të fuqishëm po asnjëherë ajo, apo shoqet e saja nuk kanë shfaqur probleme sepse po të përdhunosh një fëmijë nuk e merr veten për disa ditë”, deklaroi Pero.

Së treti, ajo shprehet se Adriana është e frustruar pasi prindërit e kanë braktisur dhe për këtë arsye gënjen.
"Ajo është frustruar nga jeta sepse s'është kollaj t'i kesh prindërit, insistoj te kjo, dhe të mos i gëzosh”, tha “psikologia”.

Së katërti, ajo i vë përgjegjësinë viktimës, sepse shprehet se viktima duhet të marrë masa që të mos përdhunohet, duke harruar që po flet për një fëmijë.
"Dikur na ka ardhur turp dhe nuk kemi kaluar nga ajo rrugë, kur dikush ka folur për përdhunim, të rritur apo fëmijë, nuk kemi kaluar më nga ajo rrugë”, u shpreh Pero.

Argumente të tilla mund të përdoren nga një njeri i zakonshëm, i cili nuk ka formimin profesional ama jo nga një psikologe. Argumentet e saj shihen si fajësim i viktimës dhe torturim i viktimës. Gjatë intervistës Pero shprehet "Nëse janë abuzuar, përse vajzat nuk kanë treguar?", por si mund të presim ne që vajzat e tjera të jetimores, të denoncojnë kur vetë psikologia, personi ku duhet të gjenin mbështetjen, nuk i beson dhe iu del kundër në media?

Për më tepër Pero është shprehur se pas denoncimit të Adrianës fëmijët e tjerë nuk duhet të guxojnë "të shpifin". Siç duket ajo ka si qëllim që t'i heshtë viktimat e tjera, duke i degraduar në televizion dhe duke iu vënë një sërë epitetesh.
“Morali i kësaj pune është që askush tjetër pas saj të mos guxojë të shpifë për moralin e dikujt tjetër”, u shpreh ajo.

Shqetësues është fakti se përgjatë videos Pero thotë se i ka marrë shpesh fëmijët e jetimores në shtëpinë e saj dhe se qytetarët shkodranë shkonin në fundjavë dhe i merrnin fëmijët në shtëpitë e tyre. Nuk e dimë si funksionon institucioni por nëpër botë nuk është normale që një qytetar pa asnjë autorizim, të marrë fëmijët e pambrojtur në shtëpinë e tij për t'i kthyer sërish.

Zakonisht që t'i marrësh fëmijët jetimë përkohësisht deri sa të gjendet një kujdestar, duhet të plotësosh formulare ligjore dhe të dëshmosh që ke kapacitet mendor, fizik dhe ekonomik për t'u kujdesur për fëmijën, përndryshe nuk mund t'i marrësh gjatë fundjavave. Me çfarë përgjegjësie stafi dhe psikologët i lënë fëmijët jetimë të shkojnë në shtëpitë e qytetarëve ku nuk dihet se çfarë ndodh?

Më e rëndë akoma është fakti se Pero akuzon fëmijët e jetimores që kanë gënjyer për vite të tëra. Ajo përmend rastin e vitit 2016 dhe shprehet se fëmijët kanë gënjyer. Mirëpo kjo çështje është ngritur nga vetë Avokati i Popullit dhe është verifikuar nga Prokuroria e Shkodrës. Po ashtu ekspertiza e mjekut ligjor ka zbuluar se fëmijët janë të defloruar dhe janë abuzuar seksualisht.

Në vitin 2016, pesë punonjëse të këtij institucioni janë vënë në pranga, nën akuzën "Shpërdorim detyre dhe keqtrajtim të miturish". Bëhet fjalë për ish-drejtoreshën e qendrës, Albana Llazani, Rafaela Camaj, Shpresa Nishani, Najada Rramolli dhe Violeta Marku. Kjo ngjarje ende nuk është mbyllur por Pero sërish e mohon dhe e konsideron gënjeshtër.

“Kur mësuesit e jetimores janë ndodhur në korridoret e gjykatës dhe për të dëshmuar për ta kanë ardhur vajzat që gjoja i kanë akuzuar këto mësueset, ka ngri i gjithë korridori duke parë se si putheshin e përqafoheshin nxënësit e jetimores me mësueset e veta që i kishin akuzuar sikur janë përdhunuar. Skena kur mësueset janë takuar me fëmijët në gjykatë vlen për mijëra filma", tha Pero.

Në këtë pikë ajo dha një tjetër argument që vërteton se nuk është një psikologe profesioniste. Pero u pyet nga gazetarja se kjo sjellje e vajzave mund të jetë Sindroma e Stokholmit, kur viktima përqafon viktimën për arsye psikologjike. Ajo e mohoi duke u shprehur "Ato janë vajza 10 vjeçe, 9 vjeçe dhe nuk kanë si ta kenë sindromën sepste ato nëna i kanë rritur.”

Mirëpo një psikologe do e kuptonte që pikërisht kjo është Sindroma e Stokholmit. Kur një person rritet në një mjedis ku po ashtu dhe dhunohet, priret të zhvillojë sindromën e Stokholmit.

Pavarësisht fakteve të lartpërmendura, zonja Pero i akuzon fëmijët për shpifje. Sipas saj "një njeri i mistershëm" i manipulon dhe i shtyn fëmijët të gënjejnë. Sigurisht, kjo deklaratë e saj çuditi dhe gazetarët të cilët e pyetën se çfarë qëllimesh ka ky personi i mistershëm për këto veprime.

Pero nuk dha asnjë përgjigje konkrete përveçse ka interes politik dhe mediatik. Çfarë mund të përfitojë ky njeri nga manipulimi i këtyre fëmijëve? Çfarë qarkullon në jetimore sipas Peros? Fonde apo lekë?
"Ka persona të tjerë mbrapa, institucione të tjera mbrapa. Kanë interes politik dhe mediatik. Një person me inteligjencë të mesme e kupton që Adriana atë që flet nuk e beson as vetë. Adriana e nxit personi që ka nxitur dhe herë tjetër fëmijët e jetimores të denoncojnë mësuesit e tyre. Këtë person do ta gjejë drejtësia", tha ajo.

Nuk është ende i qartë interesi që ka Pero në këtë histori. Nuk dihet nëse ajo ka interes personal, nëse është duke mbrojtur punën e saj apo njeh dikë nga të akuzuarit dhe do ta mbrojë. Apo thjesht do të mbrojë kolegët sepse nuk i beson kësaj historie?

Edhe nëse rasti i Adrianës nuk do të ishte i vërtetë, nuk është aspak etike apo profesionale që një njeri që vetëquhet "psikologe" të flasë në një gjuhë të tillë, mbi të gjitha pa prova. Ajo mohon rastin e vitit 2016, i cili është i provuar nga ekspertiza mjeko-ligjore, prokuroria dhe Avokati i Popullit.

Videot e mëposhtme, marrë nga "Ora News" dhe "News24" tregojnë dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve në jetimore: