Nga Shqipëria / E Hënë 8 Qershor 2020, 23:11

Nuk ndalen policët maniakë në Shqipëri: I kërkon favore seksuale shtatzënës për të kaluar në Greqi

Sot gjatë emisionit investigativ "Fiks Fare" u denoncua një punonjës i Policisë së Shtetit në pikën e kalimit kufitar në Kakavi, Gjirokastër. Ai iu ka kërkuar disa qytetarëve favore seksuale në këmbim të kalimit ilegal në Greqi.

Kamerat e fshehta kanë zbuluar se ky punonjës ka lidhje të fshehta me grupe kriminale që trafikojnë njerëz në Greqi. Një emigrant ka denoncuar rastin. Ai ka treguar se së bashku me të shoqen shtatzënë dhe vajzën kanë kaluar në Greqi.

Emigranti ka treguar se punonjësi i ka ngacmuar gruan shtatzënë, duke i kërkuar që të lidhej me të. Po ashtu i kishte kërkuar dhe numrin e telefonit dhe i kërkonte të ndahej.

"Unë isha pa letra dhe do kaloja nga mali. Takova një punonjës policie në afërsi të Doganës së Kakavijës, i cili më ka kërkuar një ‘kafe’” thotë denoncuesi, ndërsa tha se punonjësi qëndronte te rruga e kalimit ilegal për në Greqi. “Ky donte 50 (euro), unë i kam dhënë 30 euro, që të më linte mua të kaloja, të bënte një sy qorr. Ata ikën nga vendi ku qëndronin dhe na lanë rrugë të lirë.

Kalova kufirin pa probleme dhe vete në tokën greke. Pas gjysmë ore erdhi nusja me një taksi. Kisha disa çanta, gocën e vogël pasi nusja është edhe shtatzënë. U ulëm po prisnim autobusin për në Janinë dhe më tha do të them diçka. Më thuaj i thashë, çfarë ka ndodhur. Kur ike ti, më tha, erdhi ai polici, kur i dhashë lekët. Dhe më vonë kishte filluar je shumë e bukur. Ky pasi ika unë, e kishte ngacmuar.

E kishte çuar deri te trau, se ishte dhe shtatzënë. I kishte thënë që je shumë e bukur, për çdo gjë mund të ndihmoj unë, çfarë problemi ke. Dua të lidhem me ty, budalliqe të tjera. Nusja ishte trembur, me fëminë e vogël vetëm, unë isha nga mali. I kishte kërkuar numrin e telefonit, nusja i kishte thënë nuk kam numër dhe më vonë i kishte dhënë numrin e tij. Dhe i kishte thënë që kam ardhur kastile deri sa të ndahesh. Më pëlqeve, të shkëlqenin sytë.

“I shkruan vazhdimisht që ‘më del në ëndërr, çdo mëngjes çohem me fytyrën tënde. Te vendi ku të pash atje, kur shoh atë vendin atje, tavolinën, që më kujtohesh ti. Kam rënë në dashuri me ty. Njëherë shkruan në darkë. Çdo ditë. Të dua, budalliqe, zemra", ka treguar ai.

Një bashkëpunëtore e emisionit Fiks Fare ka takuar punonjësin duke i kërkuar ndihmë për të kaluar kufirin në mënyrë ilegale. Ai i ka kërkuar që t'i lërë disa ditë për t'i gjetur një person që do ta kalojë. Po ashtu i ka thënë se mund të jenë dhe 3 persona të tjerë që mund të kalojnë.

Më vonë ai ka filluar të ngacmojë bashkëpunëtoren e Fiks Fare. Fillimisht ka nisur nga komplimentet dhe më pas i ka kërkuar të shkojnë në një hotel.

“Mua më intereson siguria jote si femër kur të kalosh. Unë do të ndihmoj me një person që bën këto gjëra, që unë e di se ai bën këto gjëra. Unë e kap dhe i them hajde këtu, do më bësh një nder. Ai është i detyruar që të ma bëjë se te mua do përplaset. Mua s’më intereson sa u merr ai, ku i çon” i thotë ai, ndërsa pas kësaj bisede i bën edhe një ftesë. “Tani, meqë erdhe unë mendoj të rrish. Të hamë një drekë bashkë. Është kënaqësia ime që të rrish. Zëmë një hotel dhe rri. Tani erdhe deri këtu mirë është që të rrish. Rri, hamë një drekë, vemi diku dhe ik pastaj. Marr unë ata të agjencisë, i pyes kur kanë autobusë. Hamë një drekë, rrimë dhe pak, edhe ik. Të sakrifikosh pak. Tani, do rrish te ajo kioska atje. Do marr makinën unë dhe do lëvizim bashkë. Të njihemi, më mirë se s’kemi kohë se unë mund të them hajde nesër se do ikësh. Po unë do jem në punë dhe s’do kem mundësi. Unë të thashë një fjalë që ti do të ikësh në Athinë. Po, vemi hamë një drekë dhe rrimë vetëm, më të qetë” i thotë ai, ndërsa bashkëpunëtorja i bën me dije se duhet të lëvizë urgjentisht. “S’paske as vullnet dhe as dëshirë. Do e lëmë që të vish një herë tjetër, ti heq unë shpenzimet” i thotë në fund të bisedës.

Burimi: "Top Channel"