Aida Shtino, moderatorja që prej vitesh mbetet ndër më të dashurat për publikun, së fundmi në një intervistë për "Gazeta shqiptare" ka treguar më gjatë për mbylljen e emisionit, përfshirjen në politikë dhe jetën personale.

"Ishte një moment kur unë mendova e nisur nga emisioni, se me gjithë ato raste të humburish, do të duhej një impenjim më i madh në rang shtetëror. Kjo qe arsyeja pse u futa në politikë. Për të qenë një zë i atyre njerëzve që vinin tek unë dhe kërkonin ndihmë e që për vite të tëra nuk ishte bërë asgjë. Politikës i dhashë shumë kohë, impenjim, përkushtim. Nga politika mora një shije të hidhur. Kuptova sesi funksionojnë gjërat në këtë vend"
"Jetojmë në një shoqëri maskiliste dhe sigurisht kuota e grave në politikë për mendimin tim është vetëm sa për numër. Nëse do të ndryshojë kjo gjë, këtë nuk e di, por për momentin gratë nuk kanë asnjë pozicion, i cili do të favorizonte figurën e një femre në politikë. Sigurisht ne kemi ministre femra e deputete, por unë nuk spikas ndonjë femër politikane sot që të ketë bërë diferencën dhe të tregojë pikëpamjet e veta, edhe pse ato mundet të jenë në kundërshtim me vijën e partisë, apo të kryetarit të saj"
"Në fakt, politika është si loja e shahut. Nëse je lojtare e mirë, do t’ia dalësh, përndryshe do të të djegë kundërshtari. Unë politikën e shikoj si një qëllim për ta ndryshuar këtë vend, që e dua kaq shumë. Për momentin më duket e paarritshme kjo gjë, por jo e pamundur. Këtë frazë e kam thënë gjithmonë në emision, kur shumë kolegë të mi më thoshin se nuk e bën dot këtë punë, hiq dorë, por unë ia dola", u shpreh Aida për "Gazeta shqiptare".




