Ka tronditur mbarë opinionin publik historia e Adrianës, vajzës nga jetimorja, e cila në "Dua të të bëj të lumtur" rrëfeu se përgjatë gjithë fëmijërisë së saj ishte abuzuar seksualisht, duke nisur nga roja, mësuesit, kujdestarët e deri tek polici ku shkoi të denonconte.

Pasi u abuzua nga të gjithë njerëzit që duhet të kujdesshin për të, tani Adrianës i del kundër edhe një psikologe e cila e akuzon se po gënjen.

Psikologia Antonjeta Pero në një seri statusesh në Facebook bën disa deklarata të turpshme duke u shprehur se fëmijët e jetimores kanë mllef sepse i ka braktisur prindi. Për më tepër, psikologia e quan përdhunimin "operacion pa narkozë".
"I gjithë mllefi i fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijëve është se: Pse prindërit i kanë lënë në institucion dhe vetë ata (prindërit) jetojnë me tjetërkënd. Por kjo, do kapacitet të kuptohet", shkruan Pero.

"Kur në shkollë kemi diskutuar marrëdhëniet seksuale me të mitur, u kam sqaruar të gjithë fëmijëve se: Përdhunimi është operacion pa narkozë. Të përdhunohen fëmijë në institucion e të mos bëjnë zë për këtë veprim, kur nuk janë asnjë minutë vetëm, e ne të na kalojë ky fakt, sikur po ua zbukurojmë ngjarjen më të shëmtuar, që mundet të ndodhë në jetën e tyre. Jeni të kujdesshëm!", shkruan psikologia në një tjetër postim.

Rrjedhimisht ngrihet pyetja se si mund të gjejnë mbështetje tek kjo psikologe fëmijët ndërkohë që ajo ka kaq mllef ndaj fëmijëve që supozohet të kujdeset?
