Nga Shqipëria / E Diel 7 Qershor 2020, 21:09

U takuan personalisht, nëna e 15-vjeçarit tërheq padinë ndaj Veliut: Jemi njerëz

Para disa ditësh drejtori i policisë së shtetit, Ardi Veliu nxorri publikisht një video me armë të Zaida Çobos, nëna e 15-vjeçarit të dhunuar nga policia. "Shihni nga çfarë familje vjen 15-vjeçari", u shpreh ai. Pas deklaratës së Veliut, Çobo sqaroi se videoja ishte skenë e një filmi ku ajo bën pjesë dhe ngriti padi ndaj drejtorit të policisë.

Ditën e sotme Veliu u takua në zyrën e tij me nënën e 15-vjeçarit, për t'i kërkuar personalisht të falur. "Nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment", u shpreh ai pas bisedës me Çobon. (Lexo këtu)

Nëna e 15-vjeçarit ka treguar për "ABC News" se e ka tërhequr padinë ndaj drejtorit të policisë pasi dëshiron të japë një shembull të mirë. Ajo ka shtuar se rastin e të birit do e çojë deri në fund.

“Padinë personale të tij po e kam tërhequr sepse jemi njerëz e duhet të japim një shembull pozitiv, ndërsa nga çështja e djalit jo, do ti shkoj deri në fund”, është shprehur Çobo për "ABC News".

Kujtojmë se ajo kishte dorëzuar një kërkesë padi në Gjykatën e Tiranës pë Ardi Veliun dhe kërkonte të dëmshpërblehej me 1 milion lekë.