Nga Shqipëria / E Diel 7 Qershor 2020, 17:05

I publikoi videon me armë, Veliu takon personalisht Zaida Çobon: Jam i keqardhur

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka takuar këtë të dielë Zaida Çobon, nënën e 15-vjeçarit të dhunuar nga policia. Ai i ka kërkuar personalisht të falur për komentin e tij, i cili mori shumë kritika publike.

Kujtojmë se Veliu nxorri publikisht një video me armë të Çobos, duke u shprehur "Shihni nga çfarë familje vjen 15-vjeçari". Ditën e sotme me anë të një postimi në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, drejtori i policisë i kërkon ndjesë Çobos, teksa shprehet se nuk ka pasur si qëllim ta lëndojë.

"Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike. Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj.

Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes).

Po ashtu nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment. Ndjesë edhe njëherë", ka shkruar Veliu pas bisedës.

Pas publikimit të videos nga Veliu, Zaida Çobo sqaroi se video është nga xhirimet gjatë filmit “Dashia s’mjafton”, ku ajo aktron.