Ministria e Shëndetësisë njoftoi ditën e sotme se një personal shëndetësor, i shëruar më parë nga koronavirusi, është infektuar sërish. Gazetari Leonidha Musaj bën me dije për "abcnews.al" se bëhet fjalë për një mjek infeksionist në Durrës.
Mjeku ishte infektuar që në javën e parë të shfaqjes së koronavirusit në vend, pra në mars, nga një zonjë 73-vjeçare, viktima e parë e koronavirusit në Shqipëri.
E moshuara ndërroi jetë më datë 11 mars, ndërsa pas bërjes së testit, rezultoi pozitiv edhe mjeku në fjalë, i cili i kishte shërbyer disa herë zonjës 73 vjeçare. ISHP thekson se ai është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa po hetohet për mënyrën se si u infektua herën e dytë.
