Nga Shqipëria / E Shtunë 6 Qershor 2020, 18:06

Mbrojti Abazin, Donald Plozha denoncohet nga të miturat që ka ngacmuar seksualisht

Donald Plozha është fotografi që mbrojti publikisht në rrjete sociale Abaz Dogën, 65-vjeçarin që abuzoi seksualisht me 15-vjeçaren. Donald Plozha në një video të publikuar në rrjete sociale shprehej se Doga nuk meriton të quhet "pedofil" sepse sipas tij në momentin që vajzave iu vijnë periodat është mëse e ligjshme të kryesh marrëdhënie seksuale me to. 

"Ai nuk është pedofil. Femrave të cilave iu kanë ardhur periodat, nuk është e jashtëligjshme të kryesh marrëdhënie seksuale me to. Nuk mund t'i shkatërrohet jeta tjetrit se ti ke supozime. Ajo e ka pas qejf vetë", shprehej Plozha.

Dy vajza kanë denoncuar publikisht se fotografi i ka ngacmuar seksualisht.

Një vajzë tregoi për "Xing.al" se fotografi ka vepruar kështu me shumë vajza dhe ato kanë vënë në dijeni Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. Ajo tregon se e vetmja masë që u mor ndaj tij ishte mbyllja e llogarisë në rrjete sociale. 

"Dua të them që këtë ai e ka bërë me shumë vajza. Dhe kemi vënë në dijeni CRCA (Qendra për mbrojtjen e Fëmijëve). Ai ka këtë metodë me shumë vajza dhe është një person që ka bërë keq te shumë njerëz. Por uroj të paktën me anë të videos dhe jo vetëm mesazheve që kanë vajzat me të, të gjendet një formë dhe të marrë dënimin e merituar për ngacmim seksual dhe manipulim të një minoreneje duke shfaqur materiale të papërshtatshme. Në fillim vinte si i mirë, të fliste normalisht dhe kalonte në një formë shumë të djallëzuar te pjesa seksuale. Pasi të blinte mendjen në një formë që një kalama nuk e kuptonte. Isha e vogël dhe nuk e kuptoja mirë çfarë ishin ato që më shkruante. Unë isha 15 ndërsa ai 23", tregon vajza për "Xing.al".

Një tjetër vajzë ka treguar për "JOQ" mesazhet me fotografin, i cili i shkruan anglisht se ajo ka trupin që pëlqen ai dhe se nuk ka asgjë të keqe të kryejnë marrëdhënie edhe pse ka të dashur.

Si mendoni a duhet të nis një hetim për Plozhën për të mësuar më shumë?