Nga Shqipëria / E Shtunë 6 Qershor 2020, 19:07

Abuzimi ndaj 15-vjeçares/ Ish-drejtori: E kisha njoftuar Ministrinë e Arsimit për një nga djemtë e implikuar

Besnik Daci, ish-drejtori i shkollës 9-vjeçare ku mësonte vajza 15-vjeçare e abuzuar nga roja Abaz Doku, ka deklaruar se e ka njoftuar Ministrinë e Arsimit për një prej djemve të implikuar në këtë ngjarje. 

"Kam denoncuar në mënyrë të menjëhershme, nxënësi u rikthye brenda 24 orëve në institucion. Sjellja dhe qëndrimi i këtij nxënësi vazhdoi të ishte shqetësuese dhe rezulton se ky nxënës është i implikuar dhe në rastin në fjalë", tha Daci për "Ora News".

Besnik Daci shprehet se njëri nga tre djemtë që ka përdhunuar 15-vjeçaren ishte akuzuar nga një tjetër vajzë për ngacmime seksuale, por çështja ishte mbyllur pasi familja kishte tërhequr denoncimin në polici.

"Pala e prindërve ka tërhequr denoncimin në organet kompetente dhe atëherë institucioni është detyruar vetëm të forcojë punën edukative", tregoi Daci.

"Është vënë në dijeni Ministria e Arsimit me email dhe gjitha procedurat", tha ish-drejtori.