Në orën 16:00 u mbajt një protestë kundër abuzimit seksual dhe dhunës fizike. Sheshi "Nënë Tereza" nuk ishte dukur kurrë më bukur dhe ndoshta për të parën herë shumë vajza dhe djem që kanë humbur fëmijërinë si pasojë e kësaj mizorie, ndjenë se nuk janë vetëm.
Numri i madh i njerëzve që ishin mbledhur sot për të mbrojtur një kauzë të drejtë na mësoi se nuk është turp të ngresh zërin. Turp është të kesh një zë por të heshtësh përballë mizorive.
Na mësoi se faji nis nga ne. Ne e bëjmë shoqërinë, ne jemi shoqëria dhe gjithë këtë kohë kemi treguar një mungesë dashurie ndaj njëri-tjetrit. Na mësoi se njeriu që nuk bën asgjë për të ndihmuar tjetrin që po vuan është po aq i keq sa ai që e shkaktoi.
Për rastin e 15-vjeçares së abuzuar ishin në dijeni mësuesit dhe lagjja ku vajza banonte por të gjithë zgjodhën të heshtnin. “Ashtu siç ishim shkuam te mësuesja kujdestare për t’i treguar rastin e këtij edhe ajo na thotë: ‘ju lutem shumë dilni jashtë edhe mos flisni budadalliqe më”, tregoi vetëm para pak ditësh një ndër nxënëset e shkollës ku 65-vjeçari punonte si roje. Ky është turpi! Mësusesit, prindërit, lagjja, shokët dhe shoqet, kushdo që ka dijeni për një rast abuzimi duhet të ndihmojë që rasti të denoncohet.
Na mësoi sa e rëndësishme është ta denoncojmë dhunën dhe abuzimin seksual. Nga kjo mund të gjejnë forcën shumë të tjerë që nuk munden sepse kanë frikë. Pak kohë më parë një 15-vjeçare nga Saranda gjeti guximin të denonconte shokun e të atit që kishte abuzuar seksualisht me të. Ajo e gjeti forcën dhe kështu një denoncim solli zinxhir denoncimesh.
Na mësoi sa e rëndësishme është të flasësh. Flit dhe ti...dhe ti që u mësove të jetosh me të mira. Ti që nuk e di ç'do të thotë të të prekin pa dëshirë. Ti që nuk e di ç'do të thotë të të ofendojnë. Ti që nuk e di ç'do të thotë të të shantazhojnë. Të mos kesh mbështetje rreth vetes. Flit për atë që i ka provuar këto ndjesi, jepi pak nga zëri yt. Lufto për të mirën!
Flit dhe ti...ti që e ke parë atë të abuzojë me shoqen, shokun, motrën, vëllaun apo me dikë që nuk e njeh. Flit, mos e lër të vazhdojë, mos iu bëj palë të keqes! Kjo protestë na mësoi se duhet të flasim të gjithë. Të gjithë së bashku për një shoqëri më të mirë.
Të gjithë së bashku për vajzat dhe djemtë që i kaluan netët e fëmijërisë duke qarë, që nuk gjetën mbështetje kur më së shumti kishin nevojë! Të gjithë së bashku për vajzat dhe djemtë që nuk lejojnë askënd t'iu afrohet se njëherë e një kohë dikush i lëndoi.
Bashkë mund t’iu japim forcë vajzave dhe djemve që t’i denoncojnë abuzuesit e tyre. Mund të ngremë zërin që shteti të marrë masa më të rrepta dhe që policia t’i dëgjojë më shumë vajzat dhe djemtë që shkojnë të bëjnë denoncime. Mund të ngremë zërin që Gjykata të japë dënime të rënda për abuzuesit dhe jo t’ua lehtësojë siç ndodhi pasditen e djeshme me shtatë të rinj që para një viti e gjysmë abuzuan me 13-vjeçaren nga Kavaja. (Lexo këtu)
Bashkë mund të ngremë zërin që të heshtë dhe ai komentuesi në rrjete sociale, i cili si pa të keq shkruan “Ia ka qejfi” apo “E provokoi vetë e para”. Ky është turp! Ata që fajësojnë viktimën bëhen palë me përdhunuesin.
Bashkë mundemi!/ "Xing.al"
