Nga Shqipëria / E Enjte 4 Qershor 2020, 13:01

'Jam e trishtuar për çdo rast që nuk është parandaluar', Shahini e prerë: Sa të jem unë ministre...

Ministrja Besa Shahini në fjalën e saj gjatë seancës së sotme në Kuvend, foli lidhur me rastin e abuzimit të së miturës nga roja i shkollës, rast i cili ka tronditur mbarë opinionin publik. Shahini u shpreh se shoqëritë i justifikojnë krimet ndaj grave, duke iu vënë shtesën krime pasioni. Sipas ministres shumë raste nuk raportohen sepse kanë frikë se do të identifikohen e do të shfaqen në televizor e media.

"Kam kërkuar sot të adresoj Kuvendin jashtë rendit të ditës sepse mendoj që është e rëndësishme të flasim për abuzimin dhe ngacmimin seksual të të miturve. Të shënojmë dhe njohim përgjegjësinë tonë kolektive si shoqëri, si organizata qeveritare, publike dhe organizata jo qeveritare, që nuk kemi arritur të mbrojmë të gjithë fëmijët nga abuzimi dhe dhuna siç ata e meritojnë. Le të punojmë së bashku për të fuqizuar gjithë zinxhirin e parandalimit dhe reagimin për rastet e abuzimit me të mitur. Jam shumë e trishtuar për secilin rast që nuk është arritur të parandalohet. Dua t’ju jap disa fakte që shpresoj do hedhin dritë mbi këtë realitet të hidhur, të cilin nuk po e perceptojmë për shkak të keqraportimit mediatik, qëllimshëm të zhurmshëm dhe të pandjeshëm.

Nga janari 2019 strukturat arsimore janë njohur me disa raste të denoncimeve. Janë 5 denoncime për ngacmim apo abuzim seksual me të mitur nga abuzues që fëmijët kanë takuar në kontekstin e shkollës dhe 11 raste të tjera të ngacmimit apo abuzimit të nxënësve tanë nga familjarë apo njerëz të tjerë që kanë në komunitet. Gjysma e rasteve janë zbuluar nga stafi i shkollës dhe janë denoncuar nga po ata në organet e drejtësisë. Të gjitha këto raste kanë një gjë të përbashkët. Të gjithë abuzuesit kanë qenë persona të afërt apo të njohur nga fëmijët, babai, vëllai, kushëriri, stafi i shkollës apo nxënës. Ky fakt e bën kaq vështirë të dukshme këto raste. Për rastet kur abuzuesi ka qenë në familje apo në komunitet janë marrë të gjitha masat më të rënda ndëshkimore.

Por ndëshkimet nuk po mjaftojnë të parandalojnë abuzimin. Abuzimi po ndodh në një kontekst të një patriarkalizmi të thellë ku gratë dhe vajzat objektifikohen ndërsa nga burrat dhe djemtë po pritet një sjellje grabitqare dhe abuzuese. Më gjeni një grua që nuk është ngacmuar seksualisht dhe nuk i është hedhur ndonjë fjalë në rrugë, në punë apo në shkollë me qëllim që të ofendohet, turpërohet apo objektifikohet. Përkundër faktit që ngacmimi seksual është i dënueshëm me kod penal nga 1 deri në 5 vite burg për të rritur apo deri në 7 vite burg për të miturit dhe përkundër faktit që gati gjysma e popullatës janë ngacmuar seksualisht të paktën një herë në jetë, prapë kjo praktikë vazhdon nga burrat dhe vazhdon të mos raportohet nga gratë. Është ky kontekst që mundëson dhunën ndaj vajzave dhe grave dhe abuzimin e tyre seksual.

Keni dëgjuar për termin krim pasioni? Term që media e përdor shpesh për të raportuar vrasjet e grave nga burrat e tyre sepse nëse vritet një burrë ky është një krim i rëndë, por nëse vritet një grua nga partneri i saj është krim pasioni dhe e gjithë shoqëria kërkon arsyet e vrasjet tek sjellja e gruas. As sot, as dje, as kurrë, për sa jam unë ministre Ministria e Arsimit nuk do të prononcohet për rastet individuale të abuzimit sepse kjo po kontribuon në riabuzimin që po i bëni viktimave duke diskutuar detajet e abuzimit dhe duke i identifikuar ato. Strukturat arsimore do të flasin gjithmonë publikisht për fenomenin, do marrin masa parandaluese dhe ndëshkuese, do mbështesin fëmijët dhe të rinjtë. Të njëjtën gjë pres edhe nga organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Ndërprisni menjëherë daljen në media, me informacion identifikues për persona të cilët duhet t’i mbroni.

Ministria Arsimit ka kërkuar nga urdhëri i psikologut raportimin e të gjitha rasteve, u kemi dërguar bashkive kushtet që duhet të kenë rojet që punojnë në shkolla. Kemi kërkuar nga AMA që urgjentisht të ndërmarrë masa ndaj mediumit që kishte botuar të plotë dëshminë e një të mituri të abuzuar. E dini çfarë na kanë thënë të gjithë nxënësit që janë ballafaquar me ngacmim apo abuzim seksual? Ju lutem na mbroni anonimitetin, nuk duam të dalim në televizor dhe ata kanë të drejtë që tregimin e tyre ta tregojnë kur janë gati dhe jo në mënyrën grabitqare sesi media e raporton. Kam frikën se arsyeja pse nuk ka më shumë denoncime është pikërisht nga frika se do përfundojnë detaje identifikuese në televizor", tha Shahini.