Mbrëmjen e djeshme moderatorja Arbana Osmani bëri me dije se të Shtunën në emisionin "Dua të të bëj të lumtur" do të transmetohet historia e një vajze, e cila në moshën 12-vjeçare është abuzuar nga roja i jetimores dhe nga polici pasi ka denoncuar.

Për të shmangur spekulimet ende pa parë programin, Arbana ka sqaruar se sot vajza nuk është më një minorene. Ajo është 27-vjeç dhe ka zgjedhur të falenderojë në emision psikologen e cila i ka qëndruar pranë në ditët më të vështira.

"Ajo ka rrëfyer për abuzimet që kanë nisur që në moshën 12-vjeçare, sepse në këtë mënyrë dëshiron t'i japë kurajo kujtdo që abuzohet ende sot në këto institucione. Ajo ka zgjedhur të dalë në program me fytyrë dhe zë për të kërkuar ndihmë sepse ndihet e paragjykuar. Programi ka kontaktuar instancat më të larta që ajo të marrë mbrojtje pas rrëfimit edhe pse vajza ka thënë që nuk ka frikë", ka shkruar Arbana.

Kujtojmë se ditën e nesërme, datë 4 Qershor, ora 16:00 te "Nënë Tereza" do të mbahet një marshim paqësor si protestë ndaj abuzimeve seksuale dhe dhunës fizime.
