Para pak ditësh u bë publike historia e 15-vjeçares së abuzuar nga 65-vjeçari në Babrru si dhe nga tre djem të rinj, të cilit kishin përfituar nga ajo ndërmjet shantazhit. Së fundmi rreth kësaj historie tragjike, kanë dalë dëshmi të reja nga ish-nxënëse të shkollës ku 65-vjeçari punonte si roje.
Ato kanë treguar për "Iconstyle" se ai ka ngacmuar vazhdimisht nxënëset e shkollës. Një ndër vajzat ka rrëfyer se 65-vjeçari nuk merrej vetëm me vajzat e mitura, por dhe me mamatë që çonin fëmijët në çerdhe. Fatmirësisht vajza nuk ka rënë pre e abuzimit seksual pasi ajo ka njoftuar dhe prindërit.
“Sa herë që shkoja në mëngjes ai ishte aty dhe nuk kishte ditë që nuk hidhte fjalë nga më të ndyrat si dhe kur pastronim klasat ai vinte gjithmonë aty pasi mësuesit iknin edhe përpiqej të na prekte, afrohej me tepër seç duhej derisa unë personalisht njoftova familjarët e mi sepse nuk po e duroja dot më. Babai im u konfrontua personalisht më të situata degradoi deri në përleshje fizike. Por edhe pas asaj ditë ky monstra vazhdonte sapo te gjente rastin më të përshtatshëm për të bërë atë që dinte më mirë. Nuk mund të them se kam qenë pre e abuzimeve të tij sepse kisha kurajën të flisja me prindërit të cilët qenë të vetmit që më besuan. Po tu thosha mësuesve ato normalisht që nuk do të besonin edhe do ta linin situatën po njësoj. Ky monstër nuk është marre vetëm me vajzat e mitura po është marrë e dhe me mamatë që sillnin fëmijët e tyre në çerdhe”, ka treguar një ish-nxënëse për "Iconstyle".
Një tjetër nxënëse ka treguar se pothuajse e gjithë shkolla ka qenë pre e abuzimit nga 65-vjeçari. Vajza shkruan se i ka treguar mësueses por ajo nuk e ka besuar dhe i ka kërkuar të dalë jashtë.
“Po u shkruaj për monstrën e Babrrusë: Abaz Dokën. Prej vitesh ka qenë roje të shkolla jonë dhe jo vetëm ajo vajza por pothuajse e gjithë shkolla kanë qenë pre e abuzimit të tij. Një kafshë si ai meriton dënim me vdekje sepse edhe po të dalë zakonin nuk e harron. Disa herë kur kishim radhën e pastrimit vinte nëpër klasa tentonte që me fjalë të ndryra të na afrohej dhe të na prekte si dhe kur kishim orën e pushimit sërish bënte përpjekje për të na shtënë në dorë. Mbaj mend kur kemi pasur një orë edukimi fizik të gjithë dolën të luanin, unë me një shoqe nuk dolëm sepse nuk ndihesha mirë. Ai vjen në klasë dhe na thotë “Sa të mira që jeni” afrohet dhe na kërcënon se po nuk shkuam me të do tu tregonte prindërve tanë se kishim lënë orët e mësimit gjë që nuk kishte ndodhur. Ashtu siç ishim shkuam te mësuesja kujdestare për t’i treguar rastin e këtij edhe ajo na thotë: ‘ju lutem shumë dilni jashtë edhe mos flisni budadalliqe me'”, ka treguar ajo.
Kujtojmë se ditën e nesërme në sheshin "Nënë Tereza" do të mbahet një marshim paqësor në shenjë proteste për të gjitha vajzat të cilave iu është vjedhur fëmijëria nga abuzimet seksuale apo dhuna. Kjo protestë është për ndërgjegjësimin e popullit, për të ngritur të gjithë zërin dhe për t'i dhënë fund kësaj mizorie.
