Nga Shqipëria / E Mërkurë 3 Qershor 2020, 22:10

Nuk keni marrë pagë lufte? Rama jep lajmin e mirë për të gjithë ju

Me anë të një statusi në rrjete sociale kryeminstri Edi Rama ka bërë me dije se mbi 30 mijë punonjës kanë marrë pagën e luftës. Ai shprehet se ka afro 25 mijë të tjerë që ende nuk e kanë marrë.

Rama iu bën thirrje punëdhënësve që ende nuk kanë aplikuar të aplikojnë sepse afati skadon të premten. Punëdhënësit që nuk aplikojnë për punonjësit e tyre do të gjobiten.

Kryeministri ka dhënë po ashtu një lajm të mirë. Ai shkruan se punonjësit e lënë pa mbështetjen e punëdhënësit do të marrin 40 mijë lekë në llogarinë e tyre duke filluar nga e Hëna.

Njoftimi:

Lajm i mirë: ka kaluar 30 mijëshin numri i pagave 40 mijë lek të derdhura në llogaritë e punonjësve që nuk e kishin marrë mbështetjen financiare të qeverisë, si pasojë e mosaplikimit nga ana e punëdhënësve.

Faleminderit punëdhënësve që reaguan pozitivisht ndaj apelit tonë.

Sipas llogarive të drejtorisë së përgjithshme të tatimeve janë edhe afro 25 mijë të tjerë që duhet të paguajmë, prandaj u kujtoj punëdhënësve që s'kanë aplikuar ende se afati për ta skadon të premten, 5 qershor, në mesnatë.

Kush nuk do të bëjë aplikimin për punonjësit e vet do të paguajë gjobë, ndërsa të gjithë punonjësit e lënë pa mbështetjen e punëdhënësit, nuk do të jenë vetëm! Sepse ne do t'u derdhim menjëherë 40 mijë lekët në llogarinë e tyre nga e hëna e ardhshme.

Sot ka kaluar në thesar për lëvrim javën e ardhshme, shuma e pagës së tretë të luftës.

Shifra totale e të gjithë të asistuarve me tre pagat e luftës apo pagën 40 mijë lek, parashikojmë të shkojë në afro 250 mijë persona.

Në fund e gjithë lista e pagesave për këtë thuajse çerek milionë motra e vëllezër, do të jetë publike, që mos kemi llafe kur i thonë fjalës - po edhe që askush, asnjë person i vetëm të mos mbetet pa marrë atë që i takon, nëse për çfarëdo arsye do të mbetet i papërfshirë.