Nëna e 15-vjeçarit të dhunuar nga policia, Zaida Çobo ishte e ftuar në emisionin "360 gradë", ku tregoi si nisi gjithçka që nga momenti kur djali i kishte marrë leje për të dalë e deri kur mësoi se ai ishte në komisariat.
"Djali më mori leje për të dalë me biçikletë për të takuar një shok. E kishin lënë te Piramida dhe pasi mori leje doli. Takoi shokun dhe donte të ktheheshin në shtëpi, por shoqëruan shokun në shtëpi që e ka nga liqeni. Pastaj e ndalon policia dhe i thotë që nuk duhet të kalosh këtej. Ky i thotë të lutem të kaloj se nuk e di rrugën të kthehem pas. Nuk është se i njeh mirë rrugët e Tiranës. I thotë polici më jep kartën ID, ndërsa ai i thotë se është 15 vjeç dhe nuk ka. Normalisht polici nuk e beson, dhe i thotë se do ta ndalojnë. Im bir e pyet pse po e ndalon. Në momentin që fëmija bën rezistencë, polici kërkon forcat e tjera dhe thërritet patrulla.
Në momentin që erdhën forcat, djali ishte mbi biçikletë dhe nuk donte ta jepte se ishte e një shoku dhe kishte frikë se do t’ia mbante policia biçikletën duke dëgjuar edhe gjithë këto lajme në karantinë, jo bllokonin motorë, e biçikleta. Në momentin që ai nuk ka pranuar të zbresë nga biçikleta është ushtruar dhunë. Rreth orës 17:10 e marr djalin që të vinte në shtëpi të hante bukë. I them ku je se kam gatuar gjëra të mira. Ky me zë të mekur më thotë se është në polici. I them më jep një oficer policie, por polici i thotë se nuk na lejohet të flasim me prindërit. Nga momenti që ai ishte 15-vjeç, duhet të më merrni mua në telefon ose psikologen.
Më thotë djali jam te komisariati nr. 2. I them policit që keni shoqëruar 2 fëmijë 15 vjeç në polici. Aty ishte po ky polici që kishte dhunuar djalin, por unë nuk e kisha parë videon. Ai më thotë se djali yt e ka gjuhën shumë të gjatë dhe tha se do i pres edhe letrat. Unë i them se çfarë ka bërë, mos ka vrarë, e ai më thotë se ka kundërshtuar policinë.
Ndërkohë vjen shefi i policisë dhe i them që keni marrë dy fëmijë 15-vjeçarë dhe ai më tha që të kërkoj ndjesë për këta dhe i liron dy fëmijët dhe djali im më puth në faqe. Po unë e pyes pse duhet të të puth dhe ai më tha se kur të vënë shqelmin në grykë duhet të përgjigjesha. Dhe kishte ënjtje në kokë. Aty u acarova", tregoi Çobo.
