Republika Demokratike e Kongos ka deklaruar se në vend është rishfaqur një epidemi e re e Ebolës. Ministri i Shëndetësisë Eteni Longondo ka treguar se deri më tani kanë humbur jetën katër persona në Mbandaka, të cilët kishin rezultuar pozitivë. "Ne kemi një epidemi të re në Mbandaka. Do t'i dërgojmë shumë shpejt vaksinat dhe ilaçet", është shprehur Longondo për gazetarët.

Rishfaqja e Ebolës është konfirmuar nga shefi i Organizatës Botërore të Shëndetit, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili ka shkruar në një postim në Twitter se Koronavirusi nuk është kërcënimi i vetëm për shëndetin e njerëzve. "Kjo përhapje e Ebolës është një kujtesë që Covid-19 nuk është kërcënimi i vetëm shëndetësor me të cilin përballen njerëzit", ka shkruar ai.

Tedros ka shkruar po ashtu se stafi i OBSH ndodhet në Mbandaka dhe po ndihmon autoritetet e Kongos. Mbandaka ka një popullsi prej më shumë se një milion. Krahina është përballur me Ebolën dhe në një periudhë mes Majit dhe Korrikut në vitin 2018. Atëherë u shënuan 33 humbje jete dhe 21 persona arritën të shëroheshin.

"Kjo është një provincë që e ka përjetuar tashmë sëmundjen. Ata dinë si të përgjigjen", është shprehur ministri i shëndetësisë, Longondo. Kongo ka qenë në përpjekje të vazhdueshme për t'i dhënë fund një shpërthimi pothuajse 2-vjeçar të Ebolës, e cila ka vrarë më shumë se 2.200 njerëz, shpërthimi i dytë më vdekjeprurës i sëmundjes në botë.
Për herë të parë Ebola është shfaqur që në vitin 1976 dhe që ajo të zhduket zyrtarisht, për 42 ditë nuk duhet të ketë asnjë rast të ri. Këto 42 ditë janë dyfishi i periudhës së inkubacionit.
Vendi po përballet dhe me pandeminë Koronavirus dhe janë raportuar më shumë se 3.100 infeksione dhe 72 viktima.
Kujtojmë:
Ebola është shfaqur për herë të parë në vitin 1976. Shenjat dhe simptomat fillojnë zakonisht midis dy ditësh dhe tre javë pas kontraktimit me virusin. Simptomat janë: ethe, dhimbje fyti, dhimbje muskulore dhe dhimbje koke. Këto simptoma ndiqen nga të vjellat, diarreja dhe skuqja të cilat ndodhin nëse dëmtohet mëlçia apo veshkat. Sëmundja ka një rrezik të lartë të vdekjes, duke vrarë 25% deri 90% të të infektuarve. Kjo shpesh është për shkak të presionit të ulët të gjakut nga humbja e lëngjeve te trupit. Virusi përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet e trupit, të tilla si gjaku nga njerëzit e infektuar ose kafshët. Përhapja gjithashtu mund të ndodhë nga kontakti me sendet e kontaminuara së fundmi me lëngje trupore.
Burimi: "Daily Mail"
