Nga Shqipëria / E Diel 31 Maj 2020, 12:12

Humb jetën pacientja te 'Shefqet Ndroqi', rezulton pozitive me Covid-19 pas vdekjes

Një paciente 82-vjeçare ka humbur jetën së fundmi te spitali universitar "Shefqet Ndroqi". Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ajo vuante nga disa sëmundje dhe analiza për Koronavirus ka rezultuar pozitive pas vdekjes.

"Në lidhje me ndërrimin e jetës të një 82-vjeçareje te "Shefqet Ndroqi", e cila vuante nga Fibroza pulmonare, stadi i fundit, insuficienca kardiake, fibrilacion atrial, diabet mellitus dhe HTA, sqarojmë se: 82-vjeçarja ka jetuar vetëm disa orë. Analiza për koronavirus ka rezultuar pozitive pas vdekjes. Por shkaku i vdekjes, nëse ka qenë koronavirusi përgjegjegjës, po analizohet nga stafi mjekësor i spitalit ”Shefqet Ndroqi”, ka deklaruar Ministria e Shëndetësisë.

Kujtojmë se ditën e sotme u konfirmuan 15 raste të reja me Covid-19 në vend, konkretisht 11 raste në Tiranë, 3 në Krujë dhe 1 në Kamëz. Që nga fillimi i epidemisë numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 1136.