Nga Shqipëria / E Shtunë 30 Maj 2020, 17:05

'Italia s’është spital'/ Luigi Di Maio: Hiqet karantina për të gjithë turistët

Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, ka reaguar pas rihapjes së kufijve midis vendeve të BE-së. Maio u shpreh se Italia nuk është spital, por vendi do të hapet për të pritur turistë nga 15 qershori.

“Nëse dikush mendon të na trajtojë si spital ku dikur mbaheshin pacientë me sëmundje infektive duhet ta dijë se ne nuk do të mbetemi të palëvizshëm. Unë e kuptoj konkurrencën midis shteteve por me kushtin që ajo të jetë e shëndetshme dhe e drejtë”, u shpreh Di Maio.

Nga 3 qershori Italia heq karantinën për udhëtarët nga zona e Shengenit dhe Britania e Madhe. Për pjesën tjetër të qytetarëve evropianë, ky detyrim do të rrëzohet duke nisur nga 15 qershori.

“Unë do t’u shpjegoj kolegëve të mi se Italia është e gatshme të presë turistë të huaj nga 15 qershori dhe se ne do të veprojmë me transparencën maksimale. Situata e brendshme, të gjitha të dhënat për infeksionet, do të jenë gjithmonë publike. Ne nuk e pranojmë listën e zezë dhe nuk kemi asgjë për të fshehur, përkundrazi. Ne gjithmonë kemi vepruar me përgjegjësi dhe transparencë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.