Nga Shqipëria / E Shtunë 30 Maj 2020, 12:12

Heshti kur Drejtori i Policisë nxorri videon e nënës së 15-vjeçarit, deputetja: Nuk u ndjeva mirë...

Ditën e djeshme Drejtori i Policisë, Ardi Veliu gjatë një mbledhje me Komisionin e Sigurisë Kombëtare, u pyet nga deputetja Elena Duka rreth rastin të 15-vjeçarit të dhunuar nga policia. Veliu nxorri një video ku shfaqej e ëma e të miturit me pistoletë në dorë.

"Për të thënë nga çfarë familje vjen", u shpreh Veliu dhe deklarata e tij ka shkaktuar një zhurmë të madhe në rrjet. Së fundmi deputetja Elena Duka i ka kërkuar ndjesë mamasë së djalit, zonjës Zaida Çobo për mungesën e reagimit nga ana e saj gjatë momentit në fjalë.

Me anë të një statusi në rrjete sociale Duka shkruan se si ajo dhe kolegët e saj nuk ishin ndjerë mirë, po prisnin për një moment të dytë pasi nuk e kishin kuptuar mirë se ç'po ndodhte aty.

“Që prej të djeshmes në rrjete sociale zien diskutimi në lidhje me videon e publikuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë.  Që prej të djeshmes, kërkohet të dihet pse heshtëm ne gratë e pranishme në komision dhe unë dua të shkruaj vetëm pak rreshta për të thënë diçka më të vlerë se rreshtat…

“Kur mendja është në situatë të vështirë flet më mirë ai që hesht më mirë  ” është një thënie e Pedro Calderon De La Barca…

Po, pikërisht mendja ime por besoj dhe e kolegeve të mia u ndodh në situatë të vështirë….

Askush nga ne nuk komentoi, nuk interpretoi dhe as diskutoi në ato çaste mbi pamjet që u shfaqën, për t’ia lënë një momenti të dytë, më të qetë dhe ndoshta dhe më të kuptueshëm…nuk është se kuptuam shumë se çfarë po ndodhte aty….

U ndodhëm në situatë të vështirë dhe heshtëm…

Nga ana tjetër, lidhur me çfarë deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, fjala ishte e tij dhe sqarimi duhet të ishte patjetër i tij, ashtu siç në fakt ai veproi me deklaratën e tij për shtyp. Zot i fjalës është ai që e thotë dhe vetëm ai ka të drejtë ta sqarojë.

Unë personalisht i kërkoj ndjesë publike Zonjës që shfaqej në video për faktin që isha prezente dhe që nuk reagova në atë moment, por dua të t’ju them me siguri se as unë e as koleget e mia nuk u ndjemë mirë.

Kam lexuar në rrjete sociale komente fyese nga më të ndryshmet…disa dhe në inboxin tim…shoqëri që për të mbrojtur një grua shan e ofendon në të gjitha format gra të tjera…kjo është shoqëria jonë, por gjithsesi vlerësime për të gjithë që reagojnë për të drejtat ….E di mendimin që pason… je përfaqësuese e popullit duhet të japësh llogari…po patjetër në çdo kohë por fyerjet dhe ofendimet bien njëjtë mbi të gjithë, dhembin njësoj….

Dikush më pyeste a ke fëmijë, në një shkrim na etiketonin deputetet nëna…po kemi fëmijë, jemi nëna, si një pjesë e madhe prej jush … Po jam nënë prandaj e pyeta Drejtorin lidhur me dhunën e ushtruar mbi djalin e mitur…

Dua ta mbyll me një thënie të Luigi Pirandello : “Një fakt është si një thes – nuk do të ngrihet nëse është i zbrazët. Për ta bërë atë të ngrihet, së pari duhet të vendosni në të të gjitha arsyet dhe ndjenjat që çuan atë në atë gjendje”….”, shkruan deputetja.