Nga Shqipëria / E Enjte 28 Maj 2020, 10:10

I ati e vrau me drapër, vrasja e Rominës shkakton zemëratë të madhe në rrjet

Një vajzë 14-vjeçare në Iran ka ndërruar jetë pasi babai e saj e ka vrarë me drapër. BBC shkruan se Romina Ashrafi u largua nga shtëpia e saj në provincën Gilan me të dashurin 35-vjeçar, pasi i ati refuzoi martesën e tyre.

Çifti u gjet nga policia dhe Romina u çua në shtëpi, edhe pse ajo u kishte thënë oficerëve të policisë se kishte frikë për jetën.

Policia në Iran arrestoi babain e vajzës për të ashtuquajturën “vrasje për nder”, një ngjarje që ka shkaktuar një zemëratë të madhe në vend.

Dyshohet se mbrëmjen e së enjtes Romina u sulmua nga i ati në dhomën e saj të gjumit. Media Gilkhabar.ir raportoi se i ati i kishte prerë kokën me drapër të bijës. Pas krimit, me draprin në dorë ai kishte dale jashtë dhe kishte rrëfyer krimin e tmerrshëm.

Vrasja e Rominës ka shkaktuar një zemëratë të madhe. Një numër i madh gazetash i kanë dhënë vëmendje historisë së saj ndërsa emri i Rominës është përdorur më shumë se 50 mijë herë në Twitter. Përdoruesit e rrjeteve sociale dënojnë vrasjen dhe natyrën patriarkale në përgjithësi në shoqërinë iraniane.