Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero në një lidhje direkte për emisionin qendror të lajmeve në Top Channel, ka treguar se përse ka ndodhur rritje e numrit të të infektuarve me Koronavirus (ditën e djeshme ishin 25 raste të reja, 24 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ndërsa sot 21, të gjitha në Tiranë).
Mjeku është shprehur se pas hapjes graduale, specialistët e prisnin një rritje të rasteve pozitive. Megjithatë ai shton se mjafton që qytetarët të vazhdojnë të ndjekin këshillat si për ruajtjen e distancës, higjienës, vendosjen e maskës dhe ta mbajnë virusin larg.
Ai tha se është i bindur që kjo situatë nuk do të na rikthejë në kushtet e izolimit total, për aq kohë sa qytetarët zbatojnë rregullat e lartpërmendura.
"Natyrisht pas hapjes graduale dhe pas lehtësimit të masave shtrënguese, ne specialistët presim një rritje të rasteve pozitive. Ndërkohë rritja me 3-4 herë të rasteve pozitive është një sinjal i fortë si për ne, si për qytetarët, të cilët me lehtësimin e masave nuk duhet të shkujdesen, të ruajnë distancën dhe të vendosin maskat.
Nga ana tjetër dhe pse kemi një shtim të rasteve pozitive, një pjesë prej tyre edhe me shenja klinike, por fakti që pjesa më e madhe prej tyre janë në një fasoneri, do të thotë që janë në një vatër, janë të kontrolluara, janë kontakte të një rasti pozitiv. Jam i bindur që kjo situatë nuk do të na rikthejë në kushtet e izolimit të fortë, mjafton që qytetarët të dëgjojnë këshillat që po iu jap unë sot.
Jam i bindur që nuk do të kemi një kthim pas, i vetmi kusht është që qytetarët të tregojnë kujdes për ta mbajtur virusin larg. Virusi vazhdon të qarkullojë mes nesh, prandaj kujdesi duhet të jetë i shtuar", ka treguar Pipero.
