Ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka shpërndarë së fundmi në rrjete sociale një video-mesazh nga doktor Krenar Lilaj, i cili është ne vijën e parë të përballjes me Covid-19.
Në mesazhin e tij për qytetarët Lilaj shprehet se virusi nuk është asgjësuar ende. Ai iu bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë masat, si e vetmja mënyrë për t'iu kthyer normalitetit të plotë.
"Vetëm pak muaj më parë na u desh të përballeshim me ndoshta një ndër periudhat më të vështira në jetën e gjithsecilit. Jeta shoqërore ngriu, ekonomia u paralizua ndërsa ne mjekët luftuam me një sëmundje të panjohur e cila në botë po merrte një sërë jetësh njerëzish.
Falë ndihmesës jo vetëm të mjekëve por të gjithë stafit mjekësor shumë pacientë u shëruan. Me keqardhje mund të them se pati dhe humbje jete por na u desh të luftonim me një sëmundje e cila në disa raste ishte shumë e vështirë për t'u trajtuar. Megjithatë falë punës dhe sakrificës të stafit mjekësor, mbështetjes së qeverisë dhe kujdesit të treguar nga të gjithë duket se e keqja po kalon.
Tashmë dalëngadalë po i rikthehemi realitetit, njerëzit po i kthehen punës. Megjithatë ende duhet të tregohemi të kujdesshëm që pasojat e kësaj pandemia të mos përsëriten. Ajo po mundet por ende nuk është asgjësuar. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm që të ruajmë rregullat e distancimit fizik dhe higjienës", shprehet mjeku.
View this post on Instagram
