Nga Shqipëria / E Premte 22 Maj 2020, 17:05

4-vjeçari humbi jetën nga korenti, reagon bashkia e Beratit

Mëngjesin e sotëm një djalë 4-vjeçar nga Berati humbi jetën pasi preku një prizë me fije të zhveshura, në një nga parqet e qytetit. Nëna e tij u shpreh për "FaxNews" se bashkia duhet të përgjigjet për të dhe të marrë masat për ata korenta.

"Bashkia duhet të përgjigjet për fëmijën tim, të marrë masa për ata korenta. Nuk më kanë dhënë asgjë, as miell, asgjë. Me ca do i ushqeja kalamajt?”, tha nëna e dëshpëruar.

Bashkia ka reaguar duke bërë me dije se ka nisur një inspektim i hollësishëm i sinjalistikës rrugore dhe për linjat e ndriçimit publik në qytet.

Reagimi i bashkisë:

Bashkia Berat është njoftuar për humbjen tragjike të jetës së vogëlushit Aleksandër Brahimasi.

Ka nisur një inspektim të hollësishëm të sinjalistikës rrugore dhe linjat e ndriçimit publik në qytet.

Bashkia Berat është e hapur për bashkëpunim me institucionet përkatëse për zbardhjen e plotë të ngjarjes tepër të rëndë.

Bashkia Berat garanton bashkëqytetasit se siguria e jetës së qytetarëve është detyra jonë parësore dhe nuk do të tolerohet asnjë neglizhim.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, për humbjen tragjike të jetës së të dashurit të tyre!/ "Faxweb.al"