Ditën e djeshme Organizata Botërore e Shëndetit ka lajmëruar se është shënuar dita më e keqe për numrin e rasteve me Koronavirus në mbarë botën. Përgjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 106.000 raste të reja, shifra më e lartë që nga shpërthimi i pandemisë në Dhjetor të vitit që lamë pas.
Shifrat e reja vijnë pasi shtetet kudo në botë kanë rritur numrin e testimeve. "Kemi ende një rrugë të gjatë për ta kaluar këtë pandemi", është shprehur drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke lënë të kuptohet që virusi nuk është drejt fundit. Agjencia e tij ka paralajmëruar rritje të shifrave të infeksionit në vendet më të varfra.
"OBSH është shumë e shqetësuar për rritjen e rasteve në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme", ka shtuar ai.
Deri më tani në mbarë botën janë regjistruar 5.129.006 persona të infektuar me Koronavirus, 331.012 persona kanë humbur jetën dhe 2.044.340 persona kanë fituar betejën me këtë sëmundje.
Burimi: "Yahoo"
