Sot pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë ligji i kriptomonedhave "Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë". Në këtë mënyrë Shqipëria bëhet një nga të paktat vende të Evropës që legalizon dhe rregullon kuadrin ligjor për monedhat virtuale.
Deri më tani vetëm dy shtete të Evropës kanë ndërmarrë një vendim të tillë, Malta cila ka në fuqi një ligj për aktivet virtuale dhe Franca, e cila e ka miratuar ligjin në vitin 2019. Në relacion thuhet se synohet të bëhet rregullimi me ligj, ndalimi në rast abuzimi dhe marrja e penaliteteve në lidhje me aktivitetet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to.
Përpos përfitimeve relacioni thekson se ka dhe rreziqe, të tilla si pastrimi i parave.
"Për të shfrytëzuar sa më mirë përfitimet që ofron kjo teknologji, por edhe për të adresuar një sërë rreziqesh të mundshme, siç janë krijimi i skemave mashtruese, apo i skemave të paautorizuara për të ofruar aktive virtuale, rreziku i përdorimit të aktiveve virtuale për të pastruar para, si dhe manipulimi i tregut, nevojitet një kornizë ligjore e plotë, në mënyrë që ky aktivitet të rregullohet” thuhet në relacion.
Për pastrimin e parave thuhet se projektligji adreson çështje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar nga çdo titullar licencë-krijimin e një sistemi të sigurt dhe të mbrojtur nga risqet për të monitoruar transaksionet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit, nëpërmjet hartimit të politikave për parandalimin e pastrimit të parave dhe angazhimit të punonjësve me përvojën e duhur për raportimin e çështjeve që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave.
Blockchain shmang rregullatorët, rrezik për pastrim parash
Blockchain është një llogari e përbashkët, e pandryshueshme për regjistrimin e transaskioneve, për ndjekjen e pasurive dhe ndërtimin e besimit. Kjo teknologji vlerësohet se do kërkojë vite për t'u zbatuar dhe premton t'ia kthejë kontrollin e data njerëzve. Blockchain heq hallkat ndërmjetëse, si noterët, siguruesit dhe bankierët dhe na kërkon të besojmë në teknologji. Megjithatë duke marrë parasysh se kodet e blackchain janë thyer në mënyrë të përsëritur është e vështirë të besosh në teknologji.
Burimi: "Monitor"
