Në seancën e sotme në sallën e Kuvendit, deputeti Ralf Gjoni gjatë fjalimit të tij, nxorri nga xhepi disa lëpirëse dhe i vendosi në foltore.
"Çdo komb krenohet me historinë e tij. Kopenhagu mbrojti portin e Peshkatarëve të vjetër. Godina të vjetra janë, si kolibe lepujsh duken nga brenda. I kanë mbajtur, i kanë ruajtur, i kanë promovuar, mburren me to. Çfarë lloj speciesh jeni mor? Nuk e kuptoj! A ka një socialist që ka një copë shpirt për Tiranën? Çfarë jeni? Lëpirësa lolipopi! Po, po lëpirësa jeni. Ju meritoni vetëm lolipop", u shpreh Ralf Gjoni dhe nxorri lëpirëse nga xhepi i xhaketës.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i tërhoqi vëmendjen Gjonit duke i thënë të ruajë etikën parlamentare.
"Zoti deputet, ju tërheq vëmendjen për thyerje të etikës parlamentare. Nuk të kërkova se ç’fut nëpër xhepa. Ndaç mbaji në xhep ndaç mbaji në gojë. Unë detyrohem të të korrigjoj për ato që nxjerr ti nga goja, jo për ato që ti fut në gojë", tha Ruçi.
