Nga Shqipëria / E Mërkurë 20 Maj 2020, 17:05

Viti i ri shkollor/ Zv.ministrja e arsimit tregon ndryshimet që pritet të ndodhin

Zv.Ministrja e Arsimit, Nina Guga ishte së fundmi në një lidhje direkte për programin "Historia ime" në TV Klan. Gjatë intervistës ajo u pyet nga moderatorja Mirela Milori për vitin e ardhshëm shkollor.

Guga u shpreh se vitin tjetër shkollor do të jenë të përgatitur për të përballuar çdo situatë, këtu përfshihet dhe një rikthim i mundshëm i Koronavirusit. Po ashtu ka treguar se shkolla në Shtator do të rifillojë me përsëritje mbi të gjitha ato tema mësimore të rëndësishme.

"Për sa i përket rrethanave të situatës pandemike, këtë gjë ne nuk e dimë dhe ne shpresojmë që të mos përsëritet më një situatë e tillë. Por dhe nëse do të jemi, le të themi të kemi nxjerrë disa mësime nga kjo situatë, ne do të jemi të përgatitur për të përballuar çdo lloj situate tjetër, edhe të ndonjë rikthimi të mundshëm.

Normalisht nëse flasim për fillimin e shkollës në Shtator, ai do të fillojë me një përsëritje mbi të gjitha ato tema mësimore të rëndësishme, që janë bërë në mësimin online. Pra në të gjitha shkollat 2-javëshi i parë do të jetë i programuar mbi këto përsëritje. Më tej, kurrikula do të vazhdojë me programet e vitit përkatës, por do të kemi diçka që do të jetë e unifikuar në të gjitha shkollat.

Që pavarësisht teksteve alternative me të cilat shkollat punojnë, tematika do të jetë e unifikuar nga pikëpamja e renditjes së  temave. Pra në të gjitha shkollat do të kemi të njëjtën renditje tematike të planeve mësimore", tha zv.ministrja.