Prej ditësh ka bërë xhiron e mediave e rrjeteve sociale video e një 15-vjeçari që dhunohej nga ekfektivët e policisë, në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë. Djali i videos që tronditi opinionin publik, ishte i ftuar sot në "Shqipëria live", ku rrëfeu ngjarjen.
15-vjeçari, Serandi u shpreh se policët e kanë goditur me grushta e shkelma në kokë. Ndërsa në momentin që e kanë shoqëruar për në komisariat, sipas tij, polici që e dhunoi i ka vendosur duart në fyt. Serandi u shpreh se nuk e ka goditur policinë dhe as nuk ka ofenduar, por thjesht nuk ka zbritur nga biçikleta sepse e kishte të një shoku.
Serandi tregoi se tani e shqetësojnë shumë paragjykimet pasi në rrugë i thonë "Shiko, ai djali e rrahën".
Gjatë emisionit, 15-vjeçari u pyet nëse do t'i falë policët që ushtruan dhunë ndaj tij dhe përgjigja e tij ishte: "S'besoj, se di".
E ftuar në studio ishte edhe nëna e djalit, Zaida Çobo, e cila u shpreh se ka ngritur një proces gjyqsor dhe nëse nuk do të gjejë zgjidhje në Shqipëri, shprehet e gatshme për ta drejtuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut.
