Vaksina eskperimentale për Covid-19 e prodhuar nga kompania bioteknologjike amerikane "Moderna" në Massachusetts ka prodhuar antitrupa që mund të "neutralizojnë" koronavirusin te pacientët që janë në fazat e para. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania, në një njoftim zyrtar këtë të Hënë. Po ashtu aksionet e "Moderna" janë rritur me 25%.
Rezultatet e studimit të kryer nga Instituti Kombëtar i Shëndetit kanë treguar se niveli i antitrupave ishte i ngjashëm me ato në mostrat e gjakut të njerëzve që janë shëruar nga Covid-19.
Pjesëmarrësve iu janë dhënë tre doza të ndryshme të vaksinës dhe "Moderna" ka njoftuar se kanë vënë re rritje të imunogjenitetit, aftësia për të provokuar një përgjigje imune në trup.
Kompania ka theksuar se qëllimi i tyre është të përcaktojnë sigurinë dhe efektet anësore të vaksinës. Ndonëse rezultatet e tanishme janë premtuese është shumë shpejt të arrihet në një përfundim: nëse vaksina mundet vërtetë të bllokojë virusin.
Burimi: "Daily Mail"
