Nga Shqipëria / E Hënë 18 Maj 2020, 23:11

'A nuk është pak sjellje skuthësh?', Veliaj tregon pse teatri u prish në 4 të mëngjesit

Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin "Opinion". Ai ka folur rreth çështjes më të komentuar të momentit: shembjes së teatrit.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se pse vendosën që teatri të prishej në orën 4 të mëngjesit, Veliaj tha se donin që vendimi i shumicës të respektohej duke prekur sa më pak pakicën.

"Së pari u prish në të gdhirë sepse donim që ky vendim i shumicës të respektohej duke prekur sa më pak pakicën. Duke qenë se ishte një orë me më pak njerëz që mund të konfrontoheshin ishte më e mirë", tha ai.

"Nuk është sjellje pak prej skuthësh kjo? Mund të shkohej në ames të qytetit dhe t’ia bëje të ditur qytetit?", vazhdoi Fevziu. Kryebashkiaku u shpreh se Bashkia e Tiranës punon 24 orë.

"Nuk pranoj të fyej njeri se unë shkoj në mes të natës të kontrolloj ujësjellësat. Bashkia e Tiranës punon 24 orë. T’i thuash Bashkisë së Tiranës merre pushim! Pse? Për ndërtime, për punë publike nuk ka pasur asnjë ndalim. Në momentin që ka pak njerëz konfrontimi është shumë më i vogël", tha Veliaj.