Nga Shqipëria / E Diel 17 Maj 2020, 18:06

Shembja e Teatrit, Albin Kurti i kthehet Ramës: U shemb prej interesave...

Kryeministri në detyrë në Kosovë, Albin Kurti ka reaguar ashpër pas shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Kurti ka akuzuar kryeministrin Rama se e shembi teatrin për shkak të interesave të përkohshme dhe mbështeti rezistencën e artistëve dhe qytetarëve që mbrojtën teatrin.

"Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet", theksoi Kurti.

Postimi i plotë i Albin Kurtit: "Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional.

Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.

Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.

I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë".