Nga Shqipëria / E Diel 17 Maj 2020, 17:05

Flet eksperti: Konsumi do të kthehet në normalitet pas 3 muajsh

Eksperti i legjislacionit tatimor, Armand Mala me anë të një shkrimi ka shqyrtuar sjelljen e kosumatorëve pasi të kalojë periudha e Izolimit dhe se ç'pritet të ndodhë me ekonominë. Ai shprehet se adaptimi post Covid-19 do të ketë dy faza: faza e parë e cila fillon menjëherë pas izolimit dhe këtu do të ndihet ndikimi më i madh i ndryshimit të sjelljes së konsumatorëve dhe faza e dytë, e cila do të jetë pas dy apo tre muajsh.

Sipas Malas, pas rikthimit në normalitet konsumatorët do rendin pas gjërave që iu kanë munguar më shumë gjatë izolimit dhe më pas gjithçka do normalizohet, raporton "Monitori.al". Ai është i mendimet se bizneset më të frekuentuara do të jenë sallonet e bukurisë, argëtimit dhe sportit, të cilat do të kenë dhe rritje të shitjeve. Sakaq, përsa iu përket vendeve shumë të populluara si kinema, muze apo disko eksperti thotë se do vazhdojnë të jenë të qeta, njerëzit nuk do i frekuentojnë nga frika e infektimit.

Një kategori tjetër biznesesh, si artikujt e luksit, argjendaritë, orët, çantat do kenë tendencë në rënie sepse nuk janë prioritet për qytetarët. Gjatë ditëve të izolimit, Mala shprehet se konsumatorët mund të kenë eksploruar brande të reja dhe si rrjedhojë do heqin dorë nga disa brande të shtrenjta dhe do rrisin blerjet online.

Si përfundim, ai thotë se ndonëse zakonet e përfituara gjatë karantinës mund të mbeten për një kohë të gjatë, impakti do të vazhdojë vetëm në dy apo tre muajt e ardhshëm. Më pas gjithçka do të kthehet në normalitet sepse nuk është goditje e pariparueshme.

Burimi: "Monitor.al"