Nga Shqipëria / E Shtunë 16 Maj 2020, 18:06

Flet 15-vjeçari që u dhunua nga policia: Ju thashë se kisha humbur rrugën

Djali i cili u dhunua nga policia, Sarandi në një prononcim për TV Klan tregon se u tha policëve se kishte humbur rrugën. 15-vjeçari kishte dalë xhiro nga liqeni, kur u pikas nga policia dhe u dhunua siç e tregonin pamjet e publikuara.

“Dola xhiro nga liqeni me shokun tim. Kur u përballa me policinë iu thashë se kisha humbur rrugën, dhe në momentin që më ndaluan kisha frikë se mos më merrnin biçikletën se nuk ishte e imja. Jam shumë i hutuar dhe nuk mbaj mend shumë gjëra”, tregon Sarandi për TV Klan.

Policët nuk i kanë besuar versionit të humbjes së rrugës dhe për këtë arsye e kanë ndëshkuar administrativisht. Nëna e adoleshentit, teksa tregon fotot me shenjat e dhunës, thotë se veprimet e policëve janë të patolerueshme dhe kërkon drejtësi.

Punonjësi i policisë që shihet në video teksa qëllon një 15-vjeçar që kishte thyer rregullat e karantinën, është pezulluar nga detyra. Edhe 3 kolegët e tij që kanë shoqëruar adoleshentin në komisariat po hetohen nga Drejtoria e Standardeve mbi veprimet e tyre gjatë shoqërimit.