Programi “Dua të të bëj të lumtur” solli mbrëmjen e sotme historinë e një gjysheje heroinë e cila prej vitesh kujdesej për dy nipërit me aftësi të veçanta. Arbana Osmani tregoi se ky është një episod i regjistruar më shumë se dy muaj më parë, para situatës me Covid-19. Në studion e emisionit kishte ardhur Seviola, e cila rrëfeu historinë e vjehrrës së saj, Sherifes. Nënë Sherife kujdesej për dy nipërit e saj me aftësi të veçanta sepse mamaja e tyre kishte ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë.

Seviola falenderoi nënë Sherifen për punën e palodhur që bën me nipërit, për përkushtimin si dhe për forcën që kishte gjetur brenda vetes për t’i rritur.
Nënë Sherife u shpreh se ajo gjithmonë ka pasur mbështetjen e të gjithë familjarëve që të kujdeset për nipërit. “Unë dola në pension, por ngela mësuese gjatë gjithë jetës me fëmijët e mi por ajo që duhet të kuptojmë të gjithë është se duhet ta pranojmë këtë fakt dhe duhet te jemi pranë tyre gjithmonë", tha ajo.
I ftuar surprizë për nënë Sherifen ishte këngëtari tepër i dashur për publikun, Ylli Baka. “Ti Sherife je një nënë e fortë dhe një labe e vërtetë!”, i tha Ylli nënë Sherifes.
