Nga Shqipëria / E Shtunë 16 Maj 2020, 21:09

Policia dhunoi 15-vjeçarin në Tiranë, reagon Avokati i Popullit: Masat ndaj Covid-19 të mos...

Videoja e 15-vjeçarit të dhunuar nga efektivi i policisë u bë virale në rrjet. Adoleshenti kishte dalë xhiro me biçikletë nga liqeni pas orës 17:30 dhe ishte pikasur nga polici, i cili tashmë është pezulluar nga puna. Për tre të tjerë që ishin bashkë me të kanë nisur hetimet nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.

E ëma e djalit, Zaida Çobo, tha se çështja nuk do të mbyllet pa u marrë masat e duhura. Ajo kontaktoi me avokatin e popullit dhe me shoqatat për mbrojtjen e të miturve. Ndërkohë institucioni i Avokatit të Popullit, më në krye Erinda Ballanca ka nisur shqyrtimin e rastit dhe i ka dërguar kërkesë për informacion institucioneve përgjegjëse.

Po ashtu Ballanca kërkon që organet kompetente të ndërmarrin veprimet urgjente ndaj efektivëve të përfshirë në dhunimin e 15-vjeçarit. Avokati i Popullit thekson që masat ndaj Covid-19 nuk duhet të cenojnë të drejtat e qytetarëve.

Deklarata e plotë

"Në mediat sociale është publikuar një video, ku dallohen punonjësit e policisë së shtetit duke ushtruar dhunë kundrejt një të mituri në afërsi të liqenit artificial të Tiranës.

Në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr.8454, datë 4.2.1999 “Për Avokati e Popullit, të ndryshuar, Avokati i Popullit filloi procedurën e shqyrtimit të çështjes për rastin e paprecendent të dhunës së ushtruar nga forcat e rendit publik kundrejt një minoreni.

Institucioni i Avokatit të Popullit u ka dërguar kërkesa për informacion institucioneve përgjegjëse dhe gjithashtu ka vendosur kontakt me prindërit e të miturit të dhunuar.

Veprimet e dhunshme të kryera nga punonjësit e rendit publik janë të patolerueshme dhe AP kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin veprimet urgjente karshi këtyre punonjësve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Lufta kundër ushtrimit të dhunës është përgjegjësi e shtetit. Ndërsa, qeveria ka ndërmarrë një sërë masash, për të garantuar shëndetin e qytetarëve nga COVID-19, autoritetet shtetërore duhet të vlerësojnë dhe të kujdesen, që këto masa mos të cenojnë e çojnë në shkeljen e të drejtave të njeriut në përgjithësi, si dhe të fëmijëve në veçanti, për të bërë të mundur mbrojtjen e qytetarëve dhe fëmijëve nga të gjitha format e dhunës, e sidomos, kur ato përdoren si mjet ndëshkimi nga punonjësit e Policisë së Shtetit.

Askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë papajtueshmërinë me ligjin. Autoritetet duhet të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve të tyre, sidomos të fëmijëve, qoftë nga rreziku i infektimit prej virusit, ose nga dhuna, e cila gjen strehë në këtë periudhë të kufizimit drastik të lëvizjeve.

Në vijim, Avokatit i Popullit në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, për garantimin me efektivitet të ushtrimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, në përfundim të hetimit administrativ për rastin në fjalë do të përgatisë raportin përmbledhës me rekomandimet përkatëse."