Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme tek Parku i Liqenit Artificial në Tiranë, ku një grup policësh dhunuan një adoleshent 15-vjeçar. Nëna e djalit është shprehur për "Abc News" se adoleshenti ka ndenjur gjithë kohës me të në shtëpi dhe se dje doli vetëm për të bërë xhiro me shokët.
“Djali nuk është fare mirë realisht. Kaloi një traumë të pashpjegueshme. Është 15 vjeç. Ta imagjinosh që ka qenë vigjilent gjatë gjithë kohës së karantinës, ka qenë në shtëpi me mua. Karantinën e kemi ruajtur, e kemi respektuar. Duke parë këtë javë…sot më kërkoi leje që të shkonte nga liqeni, i thashë mirë mami shko, mos u vono. Doli vetëm për të bërë xhiro me biçikletë", është shprehur e ëma.
Vetë 15-vjeçari rrëfeu për "Abc News" se ishte me dy shokë të tjerë dhe po shkonin në shtëpi kur policët u kishin thënë që ktheheshin nga pas. Ai tregon se policët thirrën patrullën dhe aty filloi gjendja të përshkallëzohej.
“Po kaloja me dy shokë të tjerë po shkonim në shtëpi, na bërën që të kthehemi nga pas, unë u thashë që nuk e dimë rrugën. I thashë që nuk e di rrugën, a mund të kaloj këtej u thashë. Pastaj thirrën një patrullë policie, u mblodhën 5 policë dhe po më mbanin nga biçikleta se kishin frikë se mos ikja. Më thanë zbrit, unë nuk zbrita. Pasi nuk zbrita erdhi një polic më kapi nga krahu, më gjuajti në shpullë… më kërkuan kartën e identitet po u thashë që nuk kam se nuk e kam mbushur moshën", tregoi 15-vjeçari.
Djali tregon për "Abc News" se policët e gjuajtën edhe rrugës për në komisariat, ndërsa ndodhej i prangosur bashkë me shokun e tij në makinë pasi “po fliste shumë sepse ishte i nevrikosur”. Ai thotë se në polici e mbajnë 45 minuta dhe më pas e liruan pasi i erdhën prindërit. Ndërkohë, burime për Abc News thonë se për tre nga efektivët në video ka nisur hetimi disiplinor ndërsa efektivi që shihet duke e gjuajtur të riun me shpulla do të shkarkohet.
