Studiuesit nga MIT (Instituti i Teknologjisë në Masaçusets) dhe Harvard, për të ndihmuar në ngadalësimin e përhapjes së Koronavirusit, po merren me zhvillimin e maskave për fytyrë që japin një ndriçim floureshent nëse personat që i vendosin janë të infektuar.
Ata po mundohen të përshtatin të njëjtën teknologji që është përdorur për herë të parë në vitin 2016 për të zbuluar më shpejt shenjat e virusit Zika. Studiuesit po ndërtojnë sensorë në maska që të lënë ndriçimin e lartpërmendur, i cili është tepër i dobët për t'u parë me sy të lirë por mund të dallohet me një skaner të dorës.
Ekipi i udhëhequr nga MIT thotë se kjo mund t'iu mundësojë zyrtarëve në aeroporte, në stacione treni, në zyra dhe në spitale të dallojnë shpejt njerëzit e infektuar nga virusi vdekjeprurës.
Aktualisht, testimi për të zbuluar nëse dikush është i infektuar përfshin marrjen e monstrave nga hunda dhe pjesa e pasme e fytit, pastaj dërgimi i tyre në laborator për t'u analizuar-një proces që zgjat deri në 24 orë. Ndërkohë studiuesit bëjnë me dije se sensori i maskës së fytyrës do të nxirrte rezultatin brenda tre orësh.
Sensorët mund të ndërtohen në letër, kuarc apo plastikë. Më pas aktivizohen nga lagështia që vjen nga fryma teksa dikush vesh maskën. Kjo shkakton dritën floureshente. Ekipi thotë se ata janë ende në një fazë shumë të hershme të zhvillimit por brenda disa javësh do të jenë në gjendje të demostrojnë prototipin e parë.
Ata do ta testojnë maskën te pacientët e infektuar fillimisht për t'u siguruar që funksionon. Nëse maskat janë efektive, mjekët mund të jenë në gjendje t'i përdorin për të diagnostikuar pacientët në vend, pa dërguar mostra në laborator.

Burimi: "Daily Mail"
