Nga Shqipëria / E Premte 15 Maj 2020, 23:11

U bë nami për mbylljen e Ora News por AMA thotë që nuk është e vërtetë

Ditën e sotme në media u komentua mbyllja e një prej mediave shqiptare, Radio Televizioni Ora. "Vijnë dy gjoba ISHSH nga 20 milion dhe një kërkesë për mbyllje aktiviteti. Nuk e di se me çfarë vullneti një kryeministri në këto merr vendimin për mbylljen e një televizioni.Duan të mbyllin televiziionin sepse janë lejuar njerëzit të flasin në studio", shprehej drejtori i informacionit te RTV Ora Brahim Shima. (Lexo këtu)

Teksa lajmi për mbylljen e televizionit bëri bujë në media, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) e ka hedhur poshtë. Përmes një postimi në faqen zyrtare AMA ka sqaruar se nuk ka asnjë vendim apo qëllim për mbylljen e ndonjë televizioni dhe shton se RTV Ora ka pasur një paralajmërim me tërheqje vëmendjeje të Mërkurën për shkelje të rregullave.

Njoftimi i plotë:

Njoftim për mediat
Nisur nga informacione dhe formulime të ndryshme mediatike, mbi vendimarrje të Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA dhe Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, ISHSH, për mbyllje të subjektit ORA News, bëjmë me dije se, nuk ka asnjë vendim apo qëllim për mbylljen e ndonjë televizioni.
Për rastin konkret, ka pasur një paralajmërim me tërheqje vëmendjeje ditën e mërkurë, 13.05.2020, nga AMA, për subjektin ORA News për shkelje të udhëzimeve të Aktit Normativ, në kuadër të vendosjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga Covid-19.
Më pas, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, dega Tiranë, më datë 14.05.2020, ka evidentuar shkelje të përsëritur nga ky subjekt audioviziv, për prezencë në studio të më shumë se dy personave, duke akorduar gjoba, bazuar në ligjin 15|2016 “Për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive", Aktin Normativ nr. 3 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohës zgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”.
Për këtë vendim ISHSH ka njoftuar me shkresë zyrtare AMA-n më datë 15.05.2020.
Autoriteti i Mediave Audiovizive Tiranë, 15.05.2020