Nga Shqipëria / E Enjte 14 Maj 2020, 18:06

Tiranë/ Nuk e pranuan në asnjë spital, 39-vjeçarja humb jetën në shtëpinë e saj

Një 39-vjeçare rome, e quajtur Sonila Qerimi ka humbur jetën në shtëpinë e saj në Tiranë. Ajo vuante nga diabeti dhe familjarët tregojnë se kur gjendja e saj nisi të përkeqësohej nuk gjetën ndihmë nga mjekët.

Familjarët e kanë çuar fillimisht te Spitali i Traumës, ku janë njoftuar se mjeku ishte në operacion dhe nuk mund ta shihte. Më pas e kanë çuar drejt QSUT-së por dhe aty nuk e kanë pranuar.

Familjarët kanë treguar se iu është thënë ta çonin sërish te spitali i Traumës, pasi vetëm aty mund të shërohej.

Të pashpresë familjarët kanë kontaktuar "News24" dhe gazetari Oman Stafa ka telefonuar drejtorin e Urgjencës Skënder Brataj. Ai ka nisur menjëherë një ambulancë por fatkeqësisht shumë vonë pasi 39-vjeçarja kishte ndërruar jetë, duke lënë pas dy fëmijë.