Nga Shqipëria / E Enjte 14 Maj 2020, 22:10

Rama: Mos u çudisni nëse Tirana kthehet nga zonë e kuqe në zonë të mbyllur fare

Kryeministri Edi Rama ishte mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin "Opinion" në "TV Klan". Ai ka treguar se tani rreziku është akoma më i madh sepse po hapemi. Rama u shpreh se nëse numrat e të infektuarve do të rriten Tirana rrezikon të kthehet nga zonë e kuqe në zonë të mbyllur fare.

"Unë do ju them shqiptarëve vetëm kaq, do të keni ditën të më gjykoni, por mos më kërkoni të bëj të mirin kur faktet nuk ma lejojnë.  Dje është shkarkuar shefi i komisariatit që mbulon zonën e Parkut të Liqenit. Është ndjekur politika që të mos veprohet shumë me gjoba dhe për të mos bërë presion, për të dhënë mesazhin që ne jemi bashkë në këtë luftë.

Por nëse kjo punë do të vazhdojë, e para një herë numrat do të na flasin, e dyta do të kthehemi prapë mbrapa. Mos u çudisni, që në vend që të bëhet zonë e gjelbër, mbas 1 jave, mbas 10 ditësh, Tirana të kthehet nga zonë e kuqe në zonë e mbyllur fare. Mos u çudisni nëse do të mbyllemi prapë, të shtunën, të dielën e të premten e kështu me radhë.

Rreziku tani është më i madh sepse po hapemi. Ne kemi hapur pjesën më të madhe të vendit në një masë të madhe. Kemi disa zona të kuqe të cilat kanë një regjim më të kufizuar. Jam shumë i paduruar të shikoj numrat edhe sot, të shikoj numrat dhe nesër dhe pasnesër nga Tirana. Tirana do të mbetet zonë e kuqe sepse numrat nuk japin ende indikacionin që Tirana mund të kthehet në zonë të gjelbër.

Tirana do të mbetet zonë e kuqe përsëri, është vatra me rrezik më të lartë sepse ka dhe më shumë veprimtari por brenda kësaj zone të kuqe, lehtësimi i bërë është i madh. Tirana sipas të gjitha gjasave, nëse numrat do të na flasin siç na folën sot, të shikojmë analizat sonte natën, të dalin nesër, pasnesër, do jetë e fundit që do të çlirohet por në të njëjtën kohë në datën 18 do të hapen baret, restorantet vetëm në mjediset e jashtme, sipas orareve.

Zgjerimi i fashës së orarit jashtë kohës së nevojshme për të shkuar në punë, për të ardhur nga puna apo për të bërë pazar, krijon tendencën për të dalë apo për t'u shoqëruar dhe kjo sjell pasoja", tha kryeministri.