Nga Shqipëria / E Mërkurë 13 Maj 2020, 15:03

Parashikimi i BERZH: Shqipëria do e vuajë më shumë krizën, ekonomia do të bjerë me 9%

Si rrjedhojë e pasojave që po shkakton pandemia e koronavirusit, institucionet ndërkombëtare parashikojnë se Shqipëria do të jetë një nga vendet që do ta vuajë më shumë krizën në Europë. Banka Europiane per Rindertim dhe Zhvillim (BERZH) parashikon se ekonomia shqiptare do të bjerë me -9%, që është më e thella në rajon dhe në gjithë vendet në zhvillim pjesë e BERZH, me përjashtim të Libanit (-11%).

Nga vendet e rajonit, pas Shqipërisë tkurrjen më të lartë do ta ketë Mali i Zi (-8%), më pas Kosova (-5%), Bosnja dhe Hercegovina (-4.5%).

Ndërsa vendet që pritet ta kalojnë pak më lehtë janë Maqedonia dhe Serbia, me -3.5% secila.

Sipas raportit të BERZH: "Ekonomia e Shqipërisë ka të ngjarë që të goditet fort nga epidemia për shkak të varësisë së saj të lartë nga turizmi dhe eksporteve me vlerë të ulët të mallrave ndërmjetëse me destinacion industrinë e modës në Itali. Një reduktim i mundshëm i remitancave do të ndikojë gjithashtu negativisht në rritje. Rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave që janë marrë për të frenuar virusin dhe nga një kthim në normalitet në gjysmën e dytë të vitit".

Megjithatë në vitin 2021 pritet një rimëkëmbje e shpejtë e Shqipërisë, me një rritje prej 12%, më e larta në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shpresa për rritje vjen me supozimin që masat për frenimin e virusit do të jenë afatshkurtra dhe rimëkëmbja nga tërmeti do t’i japë një tjetër shtysë ekonomisë.

Burimi: Monitor