Nga Shqipëria / E Martë 12 Maj 2020, 17:05

Kur do fillojë lëvizja me urban? Flet kryeministri Rama

Kryeministri Rama gjatë një video-konference live me gazetarët u shpreh se masat lehtësuese do të vijojnë, por Tirana dhe zonat e kuqe janë ende problem.

Sa i përket transportit publik, Rama deklaroi se në fillim të qershorit mund të mendohet lëvizja me urban.

"Kemi filluar punën për një strategji adaptimi të transportit që do e paraqesim në fillim të qershorit. Një adaptim se si do të jetë në vijim në kushtet jo vetëm për tu mbrojtur nga virusi që do jetë mes nesh për një kohë të gjatë, por e rëndësishme është edhe çfarë bëjnë njerëzit”, tha Kryeministri.

"Masat lehtësuese do të vijojnë. Tirana mbetet një problem ende dhe lehtësimi në Tiranë apo në zonat e kuqe për momentin është i pamundur edhe këtë javë. Ndërkohë që në pjesën tjetër do të vazhdojnë lehtësimet. Kemi diskutuar për mundësinë e hapjes së kopshteve dhe çerdheve më 1 qershor. Nëse numrat do të vazhdojnë stabël ne mund t’i hapim dhe kjo kohë duhet shfrytëzuar për të krijuar kushtet, siç janë krijuar edhe kushtet për maturantët të cilët do të hyjnë në klasa me rregulla komplet të tjera dhe do të mund të kenë një periudhë 3-javore mësimi para maturës shtetërore.

Nga ana tjetër do të vazhdojmë lehtësimin e qarkullimit, jashtë zonave e kuqe, zgjatjen e fashave të orareve. Dua të përsëris që lokalet duhet të marrin masat sepse lokalet, transporti, turizmi janë pika shumë të nxehta dhe të rrezikshme. Lokalet do të monitorohen nga shumë afër dhe nuk do dëshiroja t’i penalizojmë. Lokalet dhe sipërmarrësit e lokaleve duhet të ndihen të detyruar për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve", u shpreh Rama.